Botë

Pas një dekade në Turqi refugjati sirian rikthehet në shtëpi, shokohet nga ajo që gjen

refugjati sirian

Foto: Associated Press

Në momentin kur arriti në shtëpi në Siri nga Turqia, Ahme dal-Kassem e përqafoi motrën e tij me lotët që i rridhnin faqeve. Ata nuk e kishin parë njëri-tjetrin për më shumë se një dekadë dhe tani ishin ribashkuar vetëm disa ditë pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad.

Por shpejt, gëzimi i ish-refugjatit u ndërpre nga paqartësia për të ardhmen e atdheut të tij të shkatërruar nga lufta. Shtëpia e tij e vjetër në Aleppo ishte shumë e dëmtuar për të jetuar, e shtëpia ku e kishte dërguar gruan e fëmijët nuk kishte elektricitet e ujë.

“Nëse do ta dija, nuk e di nëse do të kisha ardhur”, ka thënë 38-vjeçari.

“Jetët tona në Turqi nuk ishin perfekte, por ajo që po shohim këtu është një katastrofë”.

Al-Kassem dhe familja e tij janë në mesin e më shumë se 7,600 refugjatëve sirianë të cilët zyrtarët turq thonë se janë rikthyer në Siri nga Turqia që nga 9 dhjetori. Mijëra të tjera janë kthyer nga Libani, raportoi AP. 

Ata lanë prapa një jetë që e kishin ndërtuar në Turqi për 11 vjetët e fundit. Katër nga pesë fëmijët e tij janë lindur në Turqi. Për al-Kassemin dhe gruan e tij është një shans për t’u ribashkuar me familjen, t’i rikthehen jetës së mëparshme dhe t’ia prezantojnë fëmijëve trashëgiminë siriane.

Por, është zhytje në të panjohurën e një Sirie që ende po formohet.

“Kur e pash vendin tim të lirë, u ktheva me fëmijët për t’ua treguar atyre për atdheun tonë. Por, kur fëmijët erdhën këtu dhe e panë situatën, ata u befasuan. Nuk e prisnin”, ka thënë ai.

Vajza e tij 14 vjeçe, Rawiya, ka thënë se është e kënaqur për ribashkimin me familjarët. Por, është e shqetësuar për shkollën që do ta nisë në Aleppo pas vitesh në shkolla turke. Ajo flet gjuhën arabe, por nuk mund të lexojë a të shkruajë.

“Do të jetë e vështirë të fillojë të mësojë arabisht nga zeroja. Pavarësisht kësaj, jam e lumtur që jam në Siri”, ka thënë vajza.

Rawiya ishte 4 vjeçe kur familja iku nga Aleppo më 2013. Ata u vendosën në qytetin turk, Kahramanmaras, ku al-Kassemi punoi në ndërtim.

Në ditët e para në Aleppo, al-Kassemi gjeti shtëpinë e vjetër. Dritaret ishin thyer e gjërat që patën lënë pas, nuk ishin më.

Ai reflekton mbi jetën e tij në Turqi. Familja u përball me vështirësi, përfshirë pandeminë COVID-19 dhe tërmetin shkatërruar të 2023-tës. Tani përballet me vështirësitë e rikthimit në Siri.

“Por, duhet të adaptohem. Pse? Sepse ende është vendi im, shtëpia ime dhe njerëzit e mi janë këtu”, ka thënë al-Kassem.