Ani pse nuk po e kërkon një mandat të pestë, Angela Merkeli vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm derisa votuesit peshojnë se kush do të duhej ta formësonte të ardhmen e Gjermanisë pa të dhe kush do të ishte pasuesi më i denjë – një zgjedhje kjo që shihet si po aq e rrezikshme sa edhe e rëndësishme. “Çfarë ata shohin janë ose garues që premtojnë të bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë ose ata që janë skajshmërisht të ngathët, dhe ndihen të ngujuar në mes”, ka thënë për Reutersin Carsten Nickel, drejtori menaxhues i kompanisë këshilluese politike “Teneo”
Quajeni efekti Angela Merkel. Më pak se dy javë para zgjedhjeve kombëtare, shumica e votuesve gjermanë ende duket se nuk po munden që ta kapërdijnë faktin se kancelarja prej katër mandatesh nuk po kandidon më.
Një sondazh i institutit “Allensbach”, i kryer për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka treguar gjatë kësaj jave se shkallë rekorde prej 40 për qind e gjermanëve që planifikojnë të votojnë më 26 shtator ende nuk kanë marrë vendim, teksa shumica pretendojnë se nuk janë tërhequr nga asnjëri prej kandidatëve.
“Asnjëri prej tyre nuk është bindës”, ka thënë 35-vjeçari Janis Schulz nga Rhine-Westphalia Veriore, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Reuters. “Për këdo që votoni, sipas të gjitha gjasave do të formojë koalicion, porse ju nuk e dini se me kë”, ka shtuar ai. “Është vështirë pas Merkelit. Ajo solli qetësi për Gjermaninë dhe për Evropën”.
Gjatë 16 vjetëve të saj në detyrë, Merkeli ka qeverisur ekonominë më të madhe të Evropës gjatë krizës globale financiare, krizës së refugjatëve dhe tani asaj të pandemisë, duke ua ofruar gjermanëve ndjenjën më se të nevojshme të stabilitetit, ka analizuar Reuters.
“Ky stabilitet është gjëja që Armin Laschet, pasuesi i Merkelit në krye të Kristiandemokratëve konservatorë, dhe rivali i tij socialdemokrat Olaf Scholz janë duke premtuar, porse asnjëri prej tyre nuk e ka marrë rolin e prijësit”, ka shkruar agjencia.
Një sondazh i Reutersit ka treguar se derisa numër rekord i votuesve zgjedhin që sivjet të votojnë me postë, pjesa më e madhe e tyre kanë hamendësime.
Porse sondazhi ka treguar që kjo mëdyshje nuk është përkthyer në përfitime të majme për partinë e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) apo partitë e tjera të ngjashme.
AfD-ja kishte depërtuar në skenën politike të vendit më 2017, duke i shfrytëzuar ndjenjat antiemigracion që shpërthyen në vend pas vendimit të Merkelit për t’i hapur kufijtë e Gjermanisë për pothuajse një milion azilkërkues gjatë 2015-s.
“Por tani, duke gëzuar një mbështetje prej rreth 10 për qind të elektoratit, subjekti është ngujuar në imazhin e një partie që lufton për një çështje, për një gjë të vetme”, ka thënë për Reutersin drejtori menaxhues i kompanisë këshilluese politike “Teneo”, Carsten Nickel.
Derisa Merkeli nuk po e kërkon një mandat të pestë, ajo vazhdon të jetë faktor i rëndësishëm derisa votuesit peshojnë se kush do të duhej ta formësonte të ardhmen e Gjermanisë pa të dhe kush do të ishte pasuesi më i denjë – një zgjedhje kjo që shihet si po aq e rrezikshme sa edhe e rëndësishme.
“Çfarë ata shohin janë ose garues që premtojnë të bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë ose ata që janë skajshmërisht të ngathët, dhe ndihen të ngujuar në mes”, ka theksuar Nickel për Reutersin.