Botë

Pas komenteve të Bidenit, Trumpi shkon në tubim me kamion dhe jelek të bërllokut

Donald Trump

Kandidati për president të Shteteve të Bashkaura të Amerikës, Donald Trump, mbërriti në tubimin në Wisconsin me një kamion të bërllokut si përgjigjet ndaj komenteve të bëra nga presidenti Joe Biden, i cili i quajti mbështetësit e ish-presidentit “plehra”.

Pasi zbriti nga aeroplani, Trumpi veshi një jelek ngjyrë portokalli, karakteristik për punonjësit që heqin bërllokun dhe më pas vazhdoi me një kamion që shërben për pastrimin e mbeturinave.

“A ju pëlqen kamioni im i bërllokut? Kjo është për nder të Kamala Harrisit dhe Joe Bidenit”, u shpreh Trump.

Komenteve të Bidenit i parapriu një shaka raciste e komedianit Tony Hinchcliffe, i cili në tubimin e Trumpit në New York, u shpreh se Puerto Rico, territor amerikan, është “ishull plehrash”, pas së cilës presidenti aktual deklaroi se “të vetmit plehra janë mbështetësit e Trumpit”.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë është përpjekur të sqarojë komentin, një numër ndihmësish të Trumpit, përfshirë kandidatin për zëvendëspresident JD Vance, kanë publikuar reagimet me plot kritika.

Kështu, Trumpi përdori tubimin në Wisconsin, një nga shtetet federale kyçe për zgjedhjet që do të mbahen të martën e ardhshme, për t'iu përgjigjur drejtpërdrejt presidentit aktual të SHBA-së.