Parlamenti i Ukrainës ka zgjatur ligjin ushtarak deri në gusht, kanë njoftuar ligjvënësit, duke shtyrë edhe më tutje kohën e zgjedhjeve të reja që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kanë kërkuar.
Teksa lufta me Rusinë po vazhdon, një shumicë dërrmuese prej 357 deputetësh të mërkurën mbështetën zgjatjen. Kjo i lejon vendit të vazhdojë mobilizimin e trupave dhe pezullon ciklin zgjedhor, raporton Reuters.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është përballur me presionin për të mbajtur zgjedhje nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e quajti atë një diktator, kritika që bëri që ukrainasit të shtonin mbështetjen për Zelenkyn.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka vënë vazhdimisht në dyshim legjitimitetin e Zelenskyt pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024. Por në përputhje me legjislacionin ukrainas, zgjedhjet janë të pamundura gjatë gjendjes ushtarake.
Ndërsa bisedimet e paqes të udhëhequra nga administrata Trump krijuan shpresa për një armëpushim të mundshëm dhe zgjedhje eventuale, disa politikanë të opozitës ukrainase filluan të kritikojnë Zelenskyn më hapur.
Petro Poroshenko, ish-president dhe udhëheqës i partisë më të madhe opozitare, "Solidariteti Evropian", ka thënë se nuk kishte dyshim se ligji ushtarak duhet të zgjatet, veçanërisht pas sulmeve vdekjeprurëse ruse në Sumy dhe Kryvyi Rih këtë muaj.
Por ai ka akuzuar Zelenskyn për përpjekje për të forcuar fuqitë e tij gjatë gjendjes ushtarake.
Megjithatë, partia e Poroshenkos ka mbështetur në masë të madhe zgjatjen e ligjit ushtarak, me vetëm një ligjvënës nga partia që votoi kundër tij.