Parlamenti i Bullgarisë ka miratuar zyrtarisht krijimin e qeverisë së përkohshme, që do ta udhëheqë vendin anëtar të BE-së deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, qw pritet të mbahen më 9 qershor.
Dimitar Glavchev, 60 vjeç, u betua si kryeministër në një ceremoni në Asamblenë Kombëtare, bashkë me ministrat e kabinetit të tij, raporton AP.
Ai u zgjodh nga presidenti bullgar, Rumen Radev.
Glavchev, kreu i Zyrës Kombëtare të Auditimit, ish-ligjvënës nga partia e qendrës së djathtë GERB dhe kryetar i Parlamentit, ka thënë se ministrat që ai ka zgjedhur për kabinetin e tij të përkohshëm janë të distancuar nga të gjitha partitë politike.
Krijimi i qeverisë së përkohshme bullgare vjen pasi dy grupet më të mëdha politike, GERB dhe reformistët e udhëhequr nga partia WCC, nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për të vazhduar koalicionin e tyre pas nëntë muajsh në detyrë.
Prishja e koalicionit në muajin mars hapi rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të gjashtat që nga prilli i vitit 2021, të cilat pritet të thellojnë krizën politike dhe të pezullojnë reformat kryesore.