Botë

Paralajmërohet krizë shkaku i grurit të bllokuar në Ukrainë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit treditor, G7 ka premtuar se do të ofrojë ndihmë humanitare për shtetet më të goditura nga mungesa e grurit shkaku i luftës në Ukrainë.

Grupi i shtatë ekonomive më të zhvilluara të botës, të shtunën, ka tërhequr vërejtjen se lufta në Ukrainë ka ashpërsuar krizën e ushqimit dhe energjisë elektrike. Sipas këtij grupi, kriza e shkaktuar nga lufta ka kërcënuar më së shumti shtetet e varfra dhe ka kërkuar masa urgjente për të zhbllokuar grurin, të cilin Rusia nuk po lejon të dalë nga Ukraina.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbok, nikoqire e diplomatëve të G-7-s, ka thënë se lufta është shndërruar në “krizë botërore”.

Baerbock ka thënë se deri në 50 milionë njerëz, kryesisht në Afrikë dhe Lindje të Mesme, do të përballen me urinë gjatë muajve të ardhshme, nëse nuk gjenden mënyra për sigurimin e grurit ukrainas.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit treditor, G7 ka premtuar se do të ofrojë ndihmë humanitare për shtetet më të goditura nga mungesa e grurit shkaku i luftës në Ukrainë.

“Lufta e Rusisë ka krijuar një prej krizave më të mëdha të ushqimit dhe energjisë në histori dhe tani po kërcënon shtetet me të brishta të botës”, ka thënë grupi i shtatë shteteve më të zhvilluara të botës.

“Jemi të vendosur që të reagojmë bashkërisht për të ruajtur sigurinë ushqimore dhe të përkrahim partnerët tanë më të dobët”, thuhej në komunikatën e G7.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melaine Joly, ka thënë se shteti i saj, tjetër eksportues i madh agrikulturor, qëndron në gatishmëri për të dërguar anijet në portet evropiane me qëllim që gruri ukrainas të dërgohet në shtetet që kanë nevojë për të.

“Ne duhet të sigurohemi që drithërat të dërgohen nëpër botë. Nëse jo, miliona njerëz do të përballen me urinë”, ka thënë ajo.

Shtetet e G7-s gjithashtu i kanë bërë thirrje Kinës që të mos ndihmojë Rusinë, përfshirë cenimin e sanksioneve ndërkombëtare apo arsyetimin e veprimeve të Moskës në Ukrainë.

Pekini duhet të respektojë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe jo të asistojë Rusinë në luftën e saj agresive, kanë thënë shtetet e G7-s.

G-7 i kërkoi Kinës “të heqë dorë nga përfshirja në manipulimin e informacionit, dezinformimin dhe mjete të tjera për të legjitimuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

Grupi, i cili përbëhet nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, përsëriti gjithashtu qëndrimin se territoret e kapura nga forcat ruse duhet t'i kthehen Ukrainës.

“Ne kurrë nuk do t'i njohim kufijtë që Rusia është përpjekur të ndryshojë me agresion ushtarak”, thuhej në komunikatën e G7-s.

Takimi në Weissenhaus në verilindje të Hamburgut u faturua si mundësi për zyrtarët për të diskutuar mbi implikimet më të gjera të luftës për gjeopolitikën, energjinë dhe sigurinë ushqimore dhe përpjekjet e vazhdueshme ndërkombëtare për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe pandeminë.

Në një seri deklaratash përmbyllëse, vendet e G-7 trajtuan gjithashtu gamë të gjerë problemesh globale nga situata në Afganistan e deri te tensionet në Lindjen e Mesme.

Të premten, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u ka bërë thirrje vendeve mike që të ofrojnë më shumë mbështetje ushtarake për Kievin dhe të rrisin presionin ndaj Rusisë, duke përfshirë sekuestrimin e aseteve të saj jashtë vendit për të paguar për rindërtimin e Ukrainës.

Kuleba ka thënë se vendi i tij mbetet i gatshëm të bisedojë me Rusinë për zhbllokimin e furnizimeve me grurë të ngecur në depot e Ukrainës dhe gjithashtu për arritjen e një marrëveshjeje politike për t'i dhënë fund vetë luftës, por deri më tani nuk kishte marrë “asnjë reagim pozitiv” nga Moska.