Botë

Paralajmërimi i Iranit: Sulmi izraelit në Bejrut ndryshon lojën

Pamje nga sulmi në Bejrut

Irani ka thënë se sulmi i Izraelit në shtabin qendror të Hezbollahut në Bejrut të premten do të “ndryshojë rregullat e lojës”.

Ambasada e Iranit në Bejrut ka thënë se sulmi i sotëm i Izraelit paraqet përshkallëzim serioz që ndryshon rregullat e lojës.

“Izraeli do të dënohet siç duhet”, thuhet në reagimin e tyre.

Që nga përshkallëzimi i luftës së Izraelit në Liban, Irani ka sinjalizuar se nuk dëshiron të përfshihet drejtpërdrejt në luftën e Hezbollahut me Izraelin.

Në New York, gjatë një vizite në Kombet e Bashkuara të hënën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian, ka thënë se nuk përfiton askush nga një luftë më e madhe në Lindjen e Mesme.

Por sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu lëshoi paralajmërime për Iranin duke thënë se “nuk ka vend në Lindjen e Mesme ku Izraeli nuk mund të arrijë”.

Sulmi i sotëm i Izraelit në Bejrut synoi liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Deri tash dy persona janë konfirmuar të vdekur e mbi 70 të plagosur. Nasrallah raportohet se është shëndosh e mirë.