Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Papa Leoni në Francë paralajmëron për rreziqet e inteligjencës artificiale

Papa Leoni

(Tekst i përditësuar) - Papa Leoni XIV i ka bërë thirrje botës që të rishqyrtojë mënyrën se si po zhvillohet inteligjenca artificiale, duke e nisur vizitën e tij katërditore në Francë me një paralajmërim të fortë se inteligjenca artificiale mund të krijojë një të ardhme ku një “parajsë e makinave”, siç e quajti, ai merr kontrollin mbi Tokën.

Papa i parë amerikan, i cili gjatë 16 muajve të papatit të tij ka ngritur vazhdimisht shqetësime për rreziqet e inteligjencës artificiale, e vendosi këtë çështje në qendër të vizitës së tij në Francë, e para e një pape në këtë vend pas gati 20 vjetësh.

Gjatë fjalimit në Pallatin Élysée, Leoni XIV paralajmëroi se ekziston rreziku që njerëzimi të humbasë kontrollin mbi jetën e përditshme nën ndikimin e teknologjisë. Sipas tij, për të shmangur një të ardhme të tillë, nevojitet edukim më i madh për të zhvilluar aftësinë për të bërë dallimin etik dhe për të vlerësuar pasojat e përdorimit të teknologjisë.

Papa përsëriti gjithashtu qëndrimin e Kishës Katolike në mbrojtje të jetës, duke kritikuar nismat për lejimin e vdekjes së asistuar për personat me sëmundje të pashërueshme. Kjo vjen dy muaj pasi ligjvënësit francezë miratuan një masë të tillë.

Gjatë vizitës së tij në tri qytete të Francës, Papa pritet gjithashtu të përpiqet të forcojë pozitën e Kishës pas skandaleve të abuzimeve seksuale që shkaktuan tronditje në vend.

Edhe Rama në Francë, pritet nga Macroni Arbëri Rama në Francë, pritet nga Macroni

Në fund të vizitës, të hënën, Leoni XIV pritet të paraqesë edhe vizionin e tij për të ardhmen e Evropës, në një fjalim që do të mbajë gjatë qëndrimit në Francë.


Papa Leoni mbërrin në Francë, pritet nga Macroni

Papa Leoni XIV e nis të premten një vizitë katërditore në Francë, e para e një pape në këtë vend në 18 vjet, ndërsa momenti kryesor do të jetë mesha e madhe të shtunën në qendër të Parisit, ku pritet të marrin pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Presidenti Emmanuel Macron e priti Papën në aeroportin “Orly” të premten në mëngjes. Më vonë, ai pritet të zhvillojë bisedime me të në Pallatin Élysée për çështje gjeopolitike dhe inteligjencën artificiale. Macron dhe Papa do të mbajnë gjithashtu një fjalim të përbashkët në Metz, raporton BBC.

Edhe Mbi 1 milionë njerëz mblidhen në Madrid për Papa Leonin Botë Mbi 1 milionë njerëz mblidhen në Madrid për Papa Leonin

Megjithatë, presidenti nuk do të marrë pjesë në asnjë nga meshat e Papës, kryesisht për të respektuar ndarjen e rreptë të shtetit nga feja në Francë. Në meshën në Champs-Élysées do të marrin pjesë bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, dhe kryeministri Sébastien Lecornu. Aty pritet të jenë edhe disa kandidatë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes tyre Marine Le Pen, Edouard Philippe, Gabriel Attal dhe Bruno Retailleau.

Vizita është shoqëruar edhe me raportime për tensione mes Macronit dhe ekipit të Vatikanit që u angazhua për organizimin e saj. Sipas këtyre raportimeve, presidenti francez ishte i pakënaqur me kufizimin e karakterit ceremonial të vizitës.