Papa Françesku e ka shfrytëzuar fushatën e tij të premten për të kërkuar nga italianët që të kenë më shumë fëmijë.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për politika afatgjata për t’i ndihmuar familjet dhe ka paralajmëruar se krizat demografike po e rrezikojnë të ardhmen, raporton AP.
“Numri i lindjeve është indikatori i parë i shpresës së një populli”, ka thënë Françesku në një mbledhje të grupeve pro-familjes.
“Pa fëmijë dhe të rinj, një shtet e humb dëshirën për të ardhmen”, ka shtuar ai.
Ky është apeli i fundit i Françeskut për Italinë, dhe përtej saj, për Evropën, për të përmbysur atë që ai e ka quajtur dimri demografik, me të cilin përballen shumë vende të industrializuara.
Shkalla e lindjeve në Itali, pothuajse njëra prej të më të ulëtave në botë, ka qenë duke rënë vazhdimisht për rreth 15 vjet, derisa ka arritur pikën rekorde vitin e kaluar, me 379,000 foshnje të lindura.
Qeveria e Giorgia Melonit në Itali, me mbështetjen e fortë të Vatikanit, ka ngritur fushata për të inkurajuar të paktën 500,000 lindje për çdo vit, deri në vitin 2033, një shkallë për të cilën demografët thonë se është e nevojshme për të parandaluar kolapsin ekonomik nën peshën e popullatës në plakje të Italisë.