Pandemia COVID-19 ishte e parandalueshme, ka thënë një panel i pavarur shqyrtimi.
Paneli, i ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se reagimi i kombinuar i OBSH-së dhe qeverive botërore ishte një “koktej toksik”.
OBSH-ja duhet ta shpallte emergjencë globale më herët se që e bëri, thuhet në raport, duke shtuar se pa ndryshime urgjente bota ishte e cenueshme nga një tjetër shpërthim të madh të sëmundjes.
Mbi 3.3 milionë njerëz në botë kanë vdekur deri tash nga COVID-19, shkruan BBC.
Derisa SHBA-ja dhe Evropa kanë filluar të lehtësojnë masat dhe të rikthejnë disa aspekte të jetës para pandemisë, virusi është ende shkatërrues në disa pjesë të Azisë.
India veçanërisht po përballet me numra rekord të rasteve të reja dhe vdekjeve, me shkurtime të oksigjenit në spitale në gjithë vendin.
Shtetet fqinje, si Nepali, po ashtu po përballen me përhapje të madhe të virusit.
“Situata në të cilën gjendemi sot, mund të parandalohej”, ka thënë Ellen Johnson Sirleaf nga Paneli i Pavarur i Gatishmërisë dhe Reagimit të Pandemisë.
“Kjo është për shkak të një morie dështimesh, boshllëqesh dhe vonesash në gatishmëri dhe reagim”, ka shtuar ai.
Paneli ka thënë se Komiteti i Emergjencave i OBSH-së duhet ta shpallte shpërthimin e virusit në Kinë si emergjencë ndërkombëtare një javë më herët se kur realisht e shpalli.
Muaji pas deklaratës së OBSH-së ishte “i humbur” ndërsa shtetet dështuan të marrin masa të duhura për të ndaluar përhapjen e virusit.