Botë

Pamje të frikshme nga tajfuni në Vietnam që la të paktën 226 të vdekur

Vietnam

Numri i të vdekurve nga tajfuni Yagi në Vietnam është rritur në 226, me 104 të tjerë ende të zhdukur, sipas agjencisë qeveritare të menaxhimit të fatkeqësive.

Stuhia, e cila është më e forta që ka goditur vendin e Azisë Juglindore në dekada, nisi të shtunën me erëra deri në 148 kilometra në orë, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.

Zyrtarët thanë se provinca veriore e Lao Cai pati më së shumti viktima, me 98 të vdekur dhe 81 të zhdukur.

Më herët, gazeta vietnameze VNExpress raportoi se më shumë se 800 njerëz u lënduan.

Përmbytjet në kryeqytetin Hanoi thuhet se ishin më të këqijat në dy dekada dhe çuan në evakuime masive.

Tajfuni Yagi u dobësua të dielën, por reshjet vazhduan duke shkaktuar derdhjen e lumenjve.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës shkaktuan shumicën e vdekjeve, shumë prej tyre në Lao Cai, i cili kufizohet me Kinën.

Ekspertët thonë se stuhitë si tajfuni Yagi po bëhen më të forta për shkak të ndryshimeve klimatike, pasi ujërat e ngrohta të oqeanit i furnizojnë me më shumë energji, duke çuar në erëra më të forta dhe reshje më të mëdha shiu.