Luftime të ashpra janë raportuar në Jabalia në veri të Gazës, pasi ushtria izraelite është kthyer në zonat ku ka thënë se është rigrupuar Hamasi, raporton “BBC”.
Banorët që janë larguar kanë thënë se janë parë tanket duke avancuar në drejtim të kampit Jabalia, që është bombarduar fuqishëm që nga e shtuna.
Krahu ushtarak i Hamasit po ashtu ka thënë se po lufton me trupat izraelite në lindje të kampit.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 360 mijë persona kanë ikur nga Rafah, në jug, që kur nisi ofensiva një javë më parë. Ushtria e Izraelit ka urdhëruar evakuimin. Personat që janë zhvendosur nga luftimet rreth Rafahs, kanë marrë udhëzime që të shkojnë në drejtim të zonës bregdetare al-Mawasi dhe te qyteti Khan Younis, por Kombet e Bashkuara kanë thënë se atyre u mungojnë shërbimet bazike për t’i përkrahur.
Gratë që janë parë duke ikur në këmbë nga Jabalia të hënën në mëngjes kanë thënë se vendosën të largohen pasi panë tanke në disa zona.
“Tanku ishte prapa klasës mësimore”, ka thënë Umm Jumma për agjencinë “Reuters”. “Ne nuk donim të largoheshim derisa i pamë me sytë tonë”.
Një grua tjetër tha: “Ne jemi zhvendosur nga një vend në tjetrin. Dhe tash jemi larguar. Nuk e dimë ku do të shkojmë”.
Agjencia e lajmeve “Safa” e lidhur me Hamasin, ka raportuar për luftime mes grupeve të armatosura palestineze dhe tankeve izraelite në lindje të Jabalias, në afërsi të shkollave të drejtuara nga Kombet e Bashkuara.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve “Wafa”, tha se dy persona humbën jetën në një sulm izraelit në shtëpitë në kampin Jabalia të hënën dhe se një numër i personave vdiqën edhe në sulmet në qytetin Jabalia.
Po ashtu ka cituar anëtarë të ambulancës që thanë se trupat e 20 civilëve janë gjetur në Jabalia dhe janë dërguar në spitalin Kamal Adwan në Beit Lahia.
Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga Forcat e Armatosura të Izraelit.