Botë

Palestinezët e bllokuar në anën egjiptiane të kufirit në Rafah

Që nga 8 tetori, vendkalimi Rafah është goditur nga sulmet ajrore izraelite, duke e detyruar Egjiptin ta mbajë atë të mbyllur për të garantuar sigurinë e civilëve. Aylol Abo Elwan është në mesin e qindra palestinezëve nga Gaza që ndodheshin në Egjipt kalimthi ose për trajtim mjekësor në momentin kur nisi lufta. Të gjithë iu afruan pikës kufitare Rafah, në përpjekje për t’u kthyer në shtëpi - por asnjëri prej tyre nuk ia doli

Koha dhe paratë po mbarojnë për qindra palestinezë të bllokuar në El Arish, në Egjiptin verior.

Aylol Abo Elwan nga Gaza jugore, ishte nisur për në kryeqytetin egjiptian, Kajro, mëngjesin e 7 tetorit, përmes pikës kufitare Rafah, për një kontrollë te një mjek specialist.

Larg nga shtëpia e tij, një plogështi e kaploi 27-vjeçarin, kur dëgjoi për sulmin e Hamasit në territorin izraelit.

“Kishim frikë se do të ndodhte lufta në Gaza”, tha Abo Elwan për Al Jazeeran.

“Lufta në Gaza nuk ka mëshirë, ata [izraelitët] bombardojnë dhe shkatërrojnë gjithçka”.

Izraeli u zotua për hakmarrje pasi të paktën 1.400 banorë të tij mbetën të vdekur, në sulmin e Hamasit - një nga më vdekjeprurësit në dekada.

Ndërkohë që titujt e gazetave dhe kanalet televizive paralajmëronin për hakmarrjen që do ta godiste së shpejti Gazën e rrethuar, ai dhe vëllai i tij 31-vjeçar, i cili po e shoqëronte, nxituan të ktheheshin në shtëpi, për të qenë së bashku me familjen.

Ai ishte në mesin e qindra palestinezëve të tjerë nga Gaza që ndodheshin në Egjipt kalimthi ose për trajtim mjekësor dhe që të gjithë iu afruan pikës kufitare Rafah, në përpjekje për t’u kthyer në shtëpi - por asnjëri prej tyre nuk ia doli.

“Pasaportat tona ishin vulosur dhe ne ishim gati të hynim në Gaza kur ata [izraelitët] bombarduan kalimin Rafah. Ne ishim aty brenda kur ata bombarduan”, tha ai, duke shtuar se pavarësisht se dëgjuan bombardimet, ata kurrë nuk arritën që t’i shihnin dëmet në anën e Gazës.

Një kalim i vështirë

Rripi i Gazës – vetëm 41 km i gjatë, disa kilometra i gjerë dhe shtëpia e 2.2 milionë palestinezëve – është shndërruar në një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore nga izraelitët që nga viti 2007. Egjipti kontrollon fort lëvizjen në vendkalimin Rafah në koordinim me Izraelin.

Që nga 8 tetori, vendkalimi Rafah është goditur nga sulmet ajrore izraelite, duke e detyruar Egjiptin ta mbajë atë të mbyllur për të garantuar sigurinë e civilëve, madje duke e mbyllur plotësisht më 10 tetor.

Sipas ministrit të Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shoukry, ky vendkalim, më parë, i ndërlikuar tani është “jofunksional”.

Kufiri Rafah, në jug të Rripit të Gazës dhe kalimi Beit Hanoon, i njohur si Erez për izraelitët, janë pikat e vetme në veri, ku civilët mund të kalojnë brenda dhe jashtë Gazës, megjithëse Rafah është i vetmi që nuk është drejtpërdrejt i kontrolluar nga forcat izraelite.

Pavarësisht se Rafah është teknikisht nën kontrollin palestinez dhe egjiptian, Izraeli ende i dikton kushtet e tij dhe e ka mbyllur atë edhe gjatë sulmeve të mëparshme.

Për vite me radhë, ai ka shërbyer si kalimi kryesor për palestinezët e Gazës në botën e jashtme, me Egjiptin që shërben si një vend tranziti ose si një qendër për trajtime mjekësore.

“Ky kalim nuk ka qenë kurrë i lehtë”, tha Mostafa*, një palestinez i Gazës me bazë në Kajro, i cili kërkoi të mos i përmendet emri i vërtetë.

“Banorëve të Gazas u duhet leje për të hyrë në Egjipt, diçka që mund të marrë kohë deri në katër muaj nëse nuk paguani dikë që t’ju lejojë të hyni më shpejt”, shtoi ai. “Sidomos për meshkujt nga 18 deri në 40 vjeç, është jashtëzakonisht e vështirë”.

“Egjipti zakonisht kërkon një dokument që konfirmon se ne jemi duke kaluar tranzit përmes territorit të tij në një vend tjetër, pastaj ne dërgohemi me një autobus policie nga Rafah në aeroportin e Kajros. Dhe e njëjta gjë ndodh kur kthehemi – na fusin në një autobus direkt nga Kajro për në Rafah”.

Tani, edhe kjo procedurë është ndërprerë. Ministri i Jashtëm egjiptian ka thënë në një intervistë për CNN, më 14 tetor, se sulmet ajrore të kryera nga Izraeli i kanë bërë rrugët në anën e Gazës “jofunksionale”.

Po kështu, zyrtarët jordanezë i thanë CNN-it se kalimi i furnizimeve dhe njerëzve përmes Rafah-ut do të duhej të priste derisa të siguroheshin nga Izraeli se kjo mund të bëhej “pa frikën e një sulmi tjetër ajror”.

“Ata na kthyen në mes të natës”

Kushtet janë të rënda pasi qindra palestinezë kanë mbetur të bllokuar në El Arish në Egjiptin verior.

Që nga dita e parë e bombardimeve të Izraelit në vendkalimin Rafah, palestinezët që përpiqeshin të kalonin përsëri në Gaza, në shtëpitë e tyre, janë kthyer mbrapsht në El Arish dhe Sheikh Zuwaid në Egjipt.

“Ata na kthyen në mes të natës”, ka thënë Abo Elwan.

Ai shtoi se, përtej udhëzimeve për të qëndruar larg kufirit deri në një njoftim të dytë, nuk ka pasur asnjë komunikim nga autoritetet egjiptiane, as ndihmë për gjetjen e një vendi për të qëndruar ndërkohë.

Image

“Ata nuk na ndihmuan fare. Na detyruan të hipnim në makina dhe të paguanim transportin për t’u kthyer në Egjipt”, tha ai i zemëruar, duke shtuar se ai dhe vëllai i tij ishin detyruar të paguanin 600 paund egjiptian (16 dollarë) për të bërë udhëtimin 45 km.

“Disa familje egjiptiane hapën shtëpitë e tyre për të na pritur, por ne jemi shumë njerëz. Shumica prej nesh flenë në rrugë në El Arish, ndërsa presim të kthehemi në Gaza. Mund të jemi rreth 300 persona”.

Mohammed Abu Safia, një tjetër banor i Gazës i bllokuar në El Arish, ishte në Kajro për një konferencë gazetarie. 29-vjeçari tha se sulmet izraelite në Rafah e zunë edhe atë në vendkalim, teksa po përpiqej të kthehej në shtëpi.

“Autoritetet egjiptiane fillimisht na paralajmëronin përmes disa të shtënave, por më pas vendosën të mbyllnin vendkalimin për të mbrojtur jetën tonë dhe jetën e egjiptianëve”, tha ai për Al Jazeeran, një shpjegim që përputhet me atë që egjiptianët dhe jordanezët ia dhanë CNN-it.

Palestinezët thonë se kalimi përmes Rafahut është i rrezikshëm, por qëndrimi në Egjipt po bëhet i vështirë, pasi paratë po u harxhohen.

Abu Safia, 29 vjeç, është me fat që është pritur nga një familje egjiptiane në El Arish.

“Megjithatë, ata [nikoqirët] menduan se kjo situatë do të zgjaste për një ose dy ditë, por sot është dita e shtatë. Aktualisht po mendoj të kthehem te miqtë në Kajro, nuk di çfarë të bëj, gjërat po vështirësohen shumë”.

Individët që kalojnë nga Egjipti në Gazë dhe anasjelltas, lejohen që të kenë me vete jo më shumë se 5 mijë paund egjiptian (162 dollarë) - të pamjaftueshme për të paguar për strehim afatgjatë dhe ushqim. Kjo do të thotë se paratë po mbarojnë shpejt për shumë nga ata që kanë mbetur të bllokuar në anën egjiptiane, të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër.

“Paratë që kishim planifikuar për rrugën tonë të kthimit në Gaza, pothuajse janë harxhuar. Dhe familjet tona në Gaza tani nuk janë në gjendje të bëjnë transferime parash”, tha Mohammed.

Image

Abo Elwan tha se ai dhe vëllai i tij nuk kishin mundur të merrnin para hua. “Askush nuk na ka ndihmuar ende”, tha ai për Al Jazeeran. “Jemi të lodhur dhe duam të kthehemi”.

Në një konferencë shtypi pas vizitës së tij në Kajro të dielën, si ndërmjetësues, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se kalimi Rafah midis Gadishullit Sinai të Egjiptit dhe Gazës do të rihapet. Të enjten, Izraeli njoftoi se nuk do të bllokojë ndihmën humanitare nga Egjipti, por do të vazhdojë të mohojë kalimin e ndihmave nga territoret e tij derisa të lirohen pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza.

Burime egjiptiane i thanë Reutersit se një armëpushim i përkohshëm në Gazën jugore ishte paralajmëruar për të hënën, për të lehtësuar kalimin e ndihmave dhe evakuimin e disa shtetasve të huaj nga Gaza. Por kjo nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, ata që presin në anën egjiptiane të kufirit për t’u kthyer në shtëpi te familjet e tyre në Gaza, nuk kanë marrë ende asnjë lajm se kur mund të shkojnë.

Si Abo Elwan, ashtu edhe Abu Safia e dinë se pasi të hyjnë në Gazë, megjithatë, gjërat nuk do të jenë aspak të lehta. Mohammed është nga lagjja Rimal në Gazën veriore, e cila është bombarduar rëndë që nga e premtja e 13 tetorit. Mijëra banorë të Gazës atje janë detyruar të evakuohen në jug. Si rezultat, ai nuk e ka ende idenë se ku do ta gjejë familjen e tij nëse, me të vërtetë, arrin të kalojë përsëri në Gaza.

“Familja ime më tha se gjysma e tyre ka qenë në gjendje të shkojë në jug, të tjerët janë në zona të ndryshme”, tha ai për Al Jazeeran.

“Ne duam të kthehemi te familjet tona dhe në vendin tonë, ku do të jemi në gjendje të vazhdojmë të jetojmë”, tha Mohammed. (Përktheu: Forca Jashari)