Botë

“Pak zhvillime pozitive” në takimin e tretë të bisedimeve Ukrainë-Rusi

22:45 - Takimi i radhës Ukrainë-Rusi planifikohet për të enjten

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka konfirmuar se planifikon të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov të enjten, më 10 mars.

Kuleba tha në televizionin ukrainas të hënën se nëse Lavrov ishte gati për një bisedë serioze thelbësore. Kuleba tha se do të flasë me këdo që të vendosej paqja.


21:51 - Ngec kolona e forcave ruse drejt Kievit

Përparimi kryesor drejt Kievit nga forcat ruse mbetet i bllokuar, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. Zyrtari nuk kishte një përditësim se sa larg është një kolonë e madhe ushtarake ruse nga qendra e qytetit të Kievit.


20:48 - Zelensky nesër mban fjalim “historik” para deputetëve britanikë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të mbajë një "fjalim historik" për deputetët britanikë virtualisht nesër në orën 17:00.

Deklarata, e cila do të jepet me video-lidhje, u konfirmua nga zëdhënësi i Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik Lindsay Hoyle këtë mbrëmje.

"Çdo parlamentar dëshiron të dëgjojë drejtpërdrejt nga presidenti, i cili do të na flasë drejtpërdrejt nga Ukraina, kështu që kjo është një mundësi e rëndësishme për Dhomën e Përfaqësuesve," tha ai.


20:09 - Forcat ruse tërhiqen nga sulmi në aeroportin e Mykolaivit

Kryetari i qytetit jugor të Ukrainës, Mykolaiv, pretendoi të hënën se forcat ruse po tërhiqen pas asaj që ai thotë se ishte një tentativë sulmi në aeroportin e qytetit.


19:31 - Rusët po rritin bombardimet në qytetet kryesore të Ukrainës

Forcat ruse po rrisin bombardimet ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës, duke përfshirë Kharkivin, Kievin dhe Chernihivin si dhe Mykolaivin dhe Mariupolin në jug, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

“Ne sigurisht kemi vërejtur rritje në atë që ne i quajmë zjarre me rreze të gjatë, bombardime, sulme me raketa, artileri, dhe ne vlerësojmë se këto sulme po godasin objektivat civilë, infrastrukturën dhe zonat e banuara”, tha ky zyrtar.

Nuk është e “qartë” nëse rusët po godasin objektivat civile qëllimisht apo nëse ato janë “rezultat i pasaktësive por është e qartë që po ndodhë”.

“Kjo po ndodhë në shkallë më të madhe dhe ka aq më shumë dëshmi të natyrës së pamatur me të cilën rusët po propagandojnë këtë pushtim”, ka thënë ai.


19:05 - “Pak zhvillime pozitive” në takimin e tretë të bisedimeve Ukrainë-Rusi

Raundi i tretë i bisedimeve në mes të Ukrainës dhe Rusisë ka përfunduar me “pak zhvillime pozitive”, lidhur me korridoret potenciale humanitare, sipas “Reuters”.

Agjencia prestigjioze e lajmeve ka raportuar se një negociator ukrainas ka konfirmuar se ka pasur pak zhvillime.

Krijimi i korridoreve për evakuimin e civilëve nga qytetet e shkatërruara nga lufta ka qenë i vështirë ditët e fundit. Ukraina akuzon Rusinë se vazhdimisht po i bombardon këto korridore.

Civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë gjatë përpjekjeve për të ikur.

18:05 - Ukraina thotë se 13 civilë kanë vdekur në furrë si pasojë e sulmeve të Rusisë

Të paktën 13 civilë raportohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve ajrore në një furrë buke në qytetin e Makarivit, sipas shërbimit emergjent të shtetit në Ukrainë.

Sulmi me fatalitet u zhvilluar të hënën pasdite.

“Pushtuesit rusë kanë kryer një sulm ajror në një furrë në Makariv, në rajonin e Kievit. Si rezultat i goditjes nga predha, 13 njerëz kanë vdekur dhe pesë të tjerë u shpëtuan nga rrënjat. Ishin rreth 30 njerëz në furrë”, thuhet në njoftim.


16:45 - 406 civilë janë vrarë deri tash në Ukrainë

Kombet e Bashkuara kanë thënë se më shumë se 406 civilë ukrainas janë vrarë që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Sipas raportit më shumë se 801 persona raportohet se janë plagosur.

Ky raport konsideron se shifrat mund të jenë ende më të larta.

Këto shifra janë nga data 24 shkurt e deri më 6 mars.


16:41 - Britania e mbështet Ukrainën me 175 milionë funta, Kanada i sanksionon 10 rusë

Kryeministri britanik Boris Johnson ka folur në një konferencë shtypi së bashku me homologun kanadez Justin Trudeau dhe kryeministrin holandez Mark Rutte.

Ai thotë se Mbretëria e Bashkuar do të japë 175 milionë £ ndihmë për Ukrainën.


16:32 - Nis raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Në Bjellorusi ka nisur raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, njoftoi agjencia shtetërore e mediave, Rusia 24.

Raundi i parë i bisedimeve, më 28 shkurt, dhe raundi i dytë, më 3 mars, të dyja u zhvilluan në Bjellorusi.

Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të takohen të enjten në Antalia, Turqi, sipas Ministrisë së Jashtme ruse. Kjo ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.


15:58 - Pak minuta para bisedimeve, negociatori ukrainas kërkon ndalimin e sulmeve ndaj civilëve

Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka kërkuar nga Rusia që të ndalojë sulmet ndaj civilëve pak para se të fillonte rundi i tretë i bisedimeve midis dy vendeve.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Podolyak ka thënë se për pak minuta do të fillojnë negociatat me përfaqësuesit e vendit pushtues.

Ai tha se Rusia beson se dhuna në shkallë të gjerë kundër civilëve mund të argumentohet, andaj ka kërkuar nga këta negociatorë që ta dëshmojnë të kundërtën në tavolinë.

Në një postim në Twitter, ai thotë: "Për pak minuta, ne do të fillojmë të flasim me përfaqësuesit e një vendi që beson seriozisht se dhuna në shkallë të gjerë kundër civilëve është një argument. Dëshmojeni se nuk është kështu".

 

15:43 - Delegacioni ukrainas arrin në Bjellorusi për rundin e tretë të bisedimeve me Rusinë

Delegacioni i Ukrainës ka arritur në Bjellorusi për rundin e tretë të bisedimeve, raportojnë agjencitë lokale të lajmeve, transmeton BBC.

Pas dy rundeve negocimesh pa rezultate, sot fokusi i bisedimeve do të jetë te korridoret humanitare, për të lejuar civilët ukrainas të shpëtojnë nga veprimet ushtarake, derisa bombardimet ruse nëpër qendra të qyteteve vazhdojnë nga jugu deri në lindje të vendit.

Përpjekjet e mëparshme për të krijuar korridore humanitare të shtunën nuk funksionuan për shkak se armëpushimi dështoi.

Gjatë së dielës, një propozim i ri nga Rusia u cilësua "i papranueshëm" nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, pasi u bë e qartë se njerëzve që ikin nga Kievi do t'u ofrohet kalim i sigurt në aleatin e Rusisë, Bjellorusi, ndërsa ata në Kharkiv do të kenë një korridor që të çon vetëm në Rusi.

Nga katër qytetet e përmendura, vetëm ato më të voglat - Mariupol dhe Sumy - kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.


15:31 - Miliaderi rus bën thirrje për paqe në Ukrainë

Miliaderi rus, Oleg Deripaska, ka bërë thirrje për paqe “sa më shpejt të jetë e mundur” në Ukrainë.

Duke reaguar ndaj një fjalimi në TED nga historiani izraelit Yuval Noah Harari rreth pushtimit rus të Ukrainës, Deripaska ra dakord me të se ka nevojë për paqe.

Deripaska, i cili themeloi disa nga kompanitë më të mëdha industriale të Rusisë, shtoi se "e gjithë bota do të jetë ndryshe dhe Rusia do të jetë ndryshe" pas kësaj situate.


15:20 - Kryetari i Irpinit thotë se evakuimet po vazhdojnë

Kryetari i qytetit ukrainas Irpin, që gjendet në afërsi të Kievit, ka thënë se evakuimet e civilëve po vazhdojnë, raporton BBC.

Oleksandr Markushyn duke folur për mediumet ukrainase ka thënë se evakuimet e sotme kanë qenë paqësore dhe rreth 1000 persona janë evakuuar.

Por, Markushyn ka thënë se forcat ruse po vazhdojnë ta bombardojnë Irpinin.

Por Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se bombardimet ruse po pengojnë evakuimet nga Kievi, Sumy, Kharkivi, Volnovakha dhe Mykolayivi.

Ndërkohë një këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës ka thënë se qytetet në veriperëndim të Ukrainës, përfshirë Buchan, Hostomelin dhe Vorzelin, tash janë nën kontrollin e forcave ruse dhe situata mbetet kritike.


15:05 - Ish-presidenti i Ukrainës: Kjo është luftë kundër gjithë Perëndimit

Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se Rusia në Ukrainë nuk po bën luftë vetëm ndaj ukrainasve, por ndaj Perëndimit.

Poroshenko i ka bërë thirrje SHBA-së që t’i ofrojë aeroplanë luftarakë.


14:46 - Vazhdon rënia e rublës ruse, të hënën humbi mbi 30% të vlerës

Rubla ruse ka rënë në nivele të reja ndaj dollarit dhe euros sot, duke humbur mbi një të tretën e vlerës së saj deri më tani këtë vit.

Monedha ruse këmbehej me 131.25 për dollar dhe 143.3 për euro gjatë mëngjesit të së hënës.

14:40 - BE-ja do ta shqyrtojë aplikimin e Ukrainës për anëtarësim

Liderët e BE-së do të diskutojnë në ditët në vijim aplikimin e Ukrainës për t’iu bashkuar bllokut.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.


14:32 - Macron: Situata në Ukrainë po përkeqësohet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se situata në Ukrainë po përkeqësohet çdo ditë dhe se Franca do të vazhdojë t’i bëjë presion Rusisë nëpërmjet sanksioneve të ashpra.


14:24 - Kremlini kërkon që Ukraina ta njohë Krimenë si ruse

Rusia ka thënë se mund t’i ndalojë sulmet ndaj Ukrainës në çdo moment nëse Ukraina plotëson kushtet ruse.

Zëdhyënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Ukraina duhet ta njohë Krimenë si territor të Rusisë, dhe Donetzkun e Luhanskun si shtete të pavarura.


13:52 - BE-ja planifikon sanksione të reja ndaj Rusisë

 Bashkimi Evropian është duke përgatitur sanksione të reja ndaj Rusisë, ka njoftuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën.


13:42 - Zelensky bën thirrje për bojkot të naftës ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë.

Zelensky bën thirrje për "bojkot të eksporteve ruse, në veçanti refuzimin e naftës dhe produkteve të naftës nga Rusia".


13:30 - Rusia po përpiqet ta rrethojë edhe një tjetër qytet

Rusia ka shtuar intensitetin e forcave ushtarake për ta rrethuar qytetin Dnipro të Ukrainës, ka njoftuar Oleksiv Danilov, zyrtar i sigurisë ukrainase.

Ai deklaroi se rusët po zhvendosen në jug të Ukrainës, “duke u përpjekur t’ia privojë Ukrainës hyrjen në Detin e Zi dhe Azov”.

Sipas Danilov, pushtimi i Dnipros do të ndikonte rëndë në ekonominë e Ukrainës

“Armiku nuk heq dorë për të kapur Kievin ndërsa i shton forcat për ta rrethuar Dnipron. Plani i Rusisë është t’i rrethonte qytetet ktyesore, t’i zhdukte Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe të krijojë situatë katastrofe humanitare për civilët”, theksoi zyrtari i sigurisë, transmeton CNN.


13:03 - Ministrat e jashtëm të Rusisë e Ukrainës do të takohen të enjten në Turqi

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba të enjten në kryeqendrën e Turqisë, Ankara, raporton BBC.

Ky takim është paralajmëruar ndërsa Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

Ukraina thotë se raketat ruse po vazhdojnë të godasin komplekset e banimit në disa qytete dhe se kryeqendra Kievi është nën sulm të ashpër.


12:48 - Kushte të rënda në Volnovakha, qytetarët ka ditë që janë fshehur në bodrume

Po rritet frika për civilët që janë fshehur në qytetet jugore ukrainase Mariupol e Volnovakha, që janë rrethuar nga forcat ruse dhe po sulmohen vazhdimisht.

Një burrë, që kishte ikur nga Volnovakha dy ditë më parë, ka treguar për CNN kushtet në disa pjesë të qytetit, ku kishte kaluar ditë duke u fshehur në bodrum.

“Njerëzit janë duke u fshehur aty për 11 ditë tash. Disa kanë arritur të dalin, por afro 450 ende janë aty”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka pasur komunikim me njerëzit atje që kur u largua. “Njerëzit janë sëmurë. Nuk ka tualete”.

Ushqim dhe ujë ishin shumë të limituara, ka paralajmëruar ai.

“Fëmijët po vjellin. Nuk ka vend të shtrihesh”, ka thënë ai.

Image

Blinken: Rusia po kërkon ta minojë demokracinë e Lituanisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se Rusia ka kërkuar ta minojë demokracinë e Lituanisë dhe të mbjellë polarizimin nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe lajmeve të rreme.

Këto deklarime Blinken i bëri në një vizitë zyrtarë në Lituani, duke shtuar se SHBA-ja dhe Lituani janë të bashkuara në vendosmërinë e Ukrainë.

“SHBA-ja po forcon mbrojtjen tonë të përbashkët, kështu që së bashku me aleatët, jemi të gatshëm t’i bëjmë ballë çdo kërcënimi”, tha ai.


11:51 - Ka luftime të ashpra rreth Kievit

Luftime të ashpra është raportuar të ketë pasur më një zonë të gjerë të Kievit gjatë orëve të para të së hënës, sipas zyrtarëve ukrainas.

Forcat ruse pretendohet se kanë sulmuar disa zona duke hyrë sa më pranë kryeqytetit ukrainas.

Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, ka thënë se armiku po vranë qëllimisht civilë duke shkatërruar disa zona nga veriu në perëndim të kryeqytetit.

Raporte të shumta flasin për zjarr të fortë në të katër qarqe të hënën, ndërsa civilët vazhdojnë të ikin nga luftimet.

"Ne po bëjmë gjithçka në kryeqytet për të mbështetur qytetin, për të krijuar një rezervë me ushqime, ilaçe, mallra thelbësore. Ne shpërndajmë dhe ofrojmë ndihma për ata që kanë më shumë nevojë sot. Ndihma humanitare u dërgua edhe në Chernihiv, një qytet në veri e Kievit”, ka thënë Klitschko. "Kryeqyteti po përgatitet për mbrojtje. Unë u kërkoj të gjithë banorëve të Kievit të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë në shtëpi ose, në rast alarmi, në strehimore”, ka thënë ai.

Siç raporton CNN, trupat ruse kanë vazhduar sulmin drejt qytetit port strategjik të Myolaiv të hënën në mëngjes.

Paralajmërimi për një sulm erdhi disa orë pasi kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleg Senkevich tha se qyteti ishte goditur nga raketat ruse në mëngjes. Ai paralajmëroi civilët që të mos prekin mjetet e pashpërthyera.

Një person u vra dhe tre u plagosën nga bombardimet, tha një zyrtar në një spital të Mykolaiv.


11:33 - Ukraina kërkon nga GJND-ja ta ndalojë Rusinë

Përfaqësuesi i Kievit i ka bërë thirrje gjykatës së lartë të Kombeve të Bashkuara të hënën që të urdhërojë Rusinë të ndalojë pushtimin shkaërrues të Ukrainës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po mban seancën në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. Rusia ka refuzuar të marrë pjesë në seancën.


11:24 - Rusia s’merr pjesë në seancën dëgjimore të Hagës

Rusia ka refuzuar pjesëmarrjen në një seancë dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, lidhur me pretendimet për krimet që po bëhen në Ukrainë.

Siç raportojnë mediat e huaja, një varg vendesh të rezervuara për avokatët rusë, mbetën bosh, gjersa seanca nisi të hënën.

Presidenti i gjykatës, gjykatësi amerikan Joan Donoghue, deklaroi se Qeveria ruse është informuar për seancë “mirëpo nuk e ka ndërmend të merr pjesë në procedurat verbale”.


11:15 - Autoritetet ukrainase thonë se deri më tani kanë vrarë 11 mijë ushtarë rusë

Ministria e mbrojtjes ukrainase në raportin e saj të sotëm, thotë se që nga 24 shkurti ditën kur fillojë pushtimi nga Rusia, e deri më sot, ushtria Ukrainase i ka shkaktuar dëme të mëdha armikut.

Sipas raportit të kësaj ministrie, deri më tani forcat e mbrojtjes ukrainase kanë vrarë 11 mijë ushtarë rusë, ndërsa në arsenalin ushtarak i kanë shkaktuar këto dëme: 46 aeroplan bombardues, 68 helikopter, 290 tanke, 60 cisterna, 7 aeroplan spiun, 999 mjete të blinduara të llojeve të ndryshme, 117 copa artilerie, 50 pajisje të sistemit të shumëfishtë raketor, 454 automjete transportuese ushtarake, 3 anije luftarake, 23 pajisje të sistemit kundër avionëve.


11:05 - Borrell: Deri 5 milionë ukrainas pritet të ikin nga lufta

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka thënë se afro 5 milionë ukrainas pritet të braktisin vendin si pasojë e bombardimeve ruse, raporton “The Guardian”.

Borrell ka thënë se Evropa duhet të përgatitet për fluksin e refugjatëve.


10:53 - Propozimet ruse për korridoret humanitare, dy nga to çojnë vetëm në Rusi dhe Bjellorusi

Disa nga korridoret e reja të armëpushimit të shpallura nga Rusia, çojnë në Rusi ose Bjellorusi. Nga katër qytetet që përmenden, Kharkiv, Kiev, Mariupol dhe Sumy, vetëm këto dy të fundit kanë rrugë evakuimi që çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.


10:49 - Zelensky premton t'i ndëshkojë mizoritë ruse

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka thënë se të gjithë ata që kryejnë mizori kundër civilëve në Ukrainë do të ndëshkohen, raporton BBC.


10:06 - Të paktën 8 të vdekur nga bombardimet në Kharkiv

Të paktën tetë persona kanë vdekur si rezultat i bombardimeve ruse të zonave të banuara në qytetin verlindor të Kharkivit brenda 24 orëve të fundit, ka njoftuar të hënën Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës.

10:01 - Kina do t’i ofrojë ndihmë humanitare Ukrainës

Kryqi i Kuq i Kinës do t’i ofrojë ndihmë humanitare Ukrainës. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ndërsa ka bërë thirrje që të vazhdohet me bisedime diplomatike, raporton BBC.


09:19 - Mbi 1 milion ukrainas të larguar në Poloni që nga pushtimi

Mbi një milion ukrainas kanë janë larguar nga vendi i tyre për në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, duke përfshirë edhe 142,300 të dielën, ka thënë roja kufitare polake të hënën.


09:36 - Inteligjenca britanike: Rusia po synon ta kufizojë qasjen e Ukrainës në mediumeve të pavarura

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka njoftuar se bazuar në të dhënat e inteligjencës, Rusia është duke synuar ta limitojë qasjen e Ukrainës në lajmet e pavarura.


9:27 -Sot është paraparë rundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Për të hënën është paraparë të mbahen rundi i tretë i bisedimeve mes palës ukrainase dhe asaj ruse. Të enjten, palët u dakorduan që bisedimet t'i vazhdojnë më 7 mars, derisa nga Ukraina u tha se bisedimet nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.

Sot pritet të bisedohet për hapjen e korridorit humanitar, për lejimin e largimit të civilëve ukrainas nga zonat e luftës.

“Rundi i dytë i negociatave ka përfunduar. Fatkeqësisht, rezultatet që i duhen Ukrainës nuk janë arritur ende. Ekziston një zgjidhje vetëm për organizimin e korridoreve humanitare”, ka deklaruar negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak.


9:21 - Rusia po i vazhdon sulmet përkundër premtimit për armëpushim të përkohshëm

Një zëdhënës i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar qëndrimin e Rusisë për të hapur korridore humanitare për evakuim të qytetarëve, si “plotësisht jomorale”, për faktin se forcat ruse po vazhdojnë bombardimet, raporton agjencia AP.

Rusia ka njoftuar për hapjen e disa korridoreve humanitare sot dhe armëpushim të përkohshëm për evakuim të civilëve. Por kjo nuk i ka ndaluar sulmet ndaj qyteteve ukrainase.

“Edhe përkundër njoftimin e Rusisë për armëpushim duke filluar nga mëngjesi i sotëm dhe hapjen e korridoreve humanitare në disa zona, forcat e saj të armatosura vazhdojnë të godasin qytetet ukrainase. Raketa të shumta po godasin komplekset e banimit. Njoftimi për armëpushim të përkohshëm erdhi një ditë pasi qindra mijëra civilë ukrainas që po tentonin të iknin u detyruan të strehoheshin nga bombardimet ruse. Zyrtarët nga dyja palët kanë planifikuar për sot një raund të tretë bisedimesh”, ka thënë zëdhënësi raporton agjencia AP.


9:15 - Macron kundërshton hapjen e korridoreve humanitare

Rusia ka deklaruar se do t’i hapë disa korridore të reja humanitare për të lejuar evakuimin e civilëve ukrainas, bën të ditur BBC.

Për një evakuim të tillë, mediat ruse raportojnë se ishte ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, derisa ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë.

“Presidenti i Republikës as nuk ka kërkuar dhe as s’ka marrë korridore për në Rusi, pas bisedës me Vladimir Putinin”, thuhet nga Presidenca franceze.

Civilët nga Kievi, siç u nga pala ruse, do të mund të largohen në drejtim të aleatit rus, Bjellorusisë, e ata nga Kharkivi në drejtim të Rusisë.


08:45 - Mbi 140 mijë ukrainas janë kthyer nga Evropa për të luftuar

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, ka thënë se më tepër se 140 mijë ukrainas, kryesisht burra, janë kthyer nga shtetet tjera evropiane për të luftuar në vendlindjen e tyre.

Reznikov në postimin në Facebook ka thënë se e gjithë bota po e sheh se si po luftojnë ukrainasit.


08:31 - “Rusia po përgatitet për një valë të re luftimesh”

Ministria e Ukrainës deklaroi se Rusia po përgatitet për një valë të re sulmesh, ndonëse ditëve të fundit është ulur intensiteti i luftimeve. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Ministria bëri më dije se të hënën janë futur në ditën e 12 të luftimeve.

“Kanë kaluar njëmbëdhjetë ditë qëndrese heroike. Për shkak të humbjeve të mëdha të pësuara nga armiku, intensiteti i armiqësive u ul përkohësisht. Megjithatë, pushtuesit rusë po përpiqen të përqendrojnë forcat dhe mjetet për një valë të re sulmesh”, thuhet në njoftim.


08:27 - Forcat ruse po e bombardojnë Odesan

Forcat ruse kanë nisur bombardimet në qytetin bregdetar Odesa, është raportuar në një video të publikuar nga Administrata Rajonale Ushtarake e Odesas.

Në video, e cila është publikuar edhe në agjencinë AP, zëdhënësi i Administratës, Sergey Bratchuk, ka thënë se ka informacione që Rusia ka sulmuar fshatin Tuzla që është 110 kilometra në veriperëndim të Odesas.

Sulmi është bërë nëpërmjet detit. Nuk raportohet për viktima.

“Për fat të keq, nuk ka qenë natë e qetë. Ka informacione se armiku ka lansuar sulm me raketë nga deti në zonën e banimit Tuzla. Sipas të dhënave nuk ka viktima”, tha Bratchuk.


08:18 - Anonymous pretendon se ka hakuar stacionet televizive ruse

Grupi i hakerëve Anonymous ka pretenduar se ka hakuar stacionet televizive shtetërore ruse, duke shfaqur xhirime të luftës në Ukrainë.


08:10 - Vazhdojnë bombardimet në Mykolaiv

Po vazhdojnë bombardimet në qytetin bregdetar ukrainas Mykolaiv, raporton BBC.

Kryebashkiaku i Mykolaivit, Oleksandr Senkevych, ka shkruar në Facebook se trupat ruse janë duke shënjestruar ndërtesat e banimit, ndërsa ka shpërndarë një video ku shihet një bllok i apartamenteve i përfshirë nga zjarri.


07:55 - Zyrtari amerikan: Rusia ka shkrepur 600 raketa në Ukrainë

Rusia ka shkrepur gjithsej 600 raketa që nga fillimi i pushtimit të saj në Ukrainë, tha sot një zyrtar i lartë i Mbrojtjes së SHBA-së, dhe ajo ka kryer afërsisht 95 për qind të fuqisë së saj luftarake të grumbulluar brenda Ukrainës.


Rusia ka thënë se do të hapë korridore të reja humanitare nëpër disa qytete ukrainase të hënën për të lejuar evakuimin e civilëve, raportojnë mediumet shtetërore ruse.

Armëpushimi do të hyjë në fuqi nga ora 10:00 me kohë lokale, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, dhe do të krijohen korridore evakuimi në kryeqendër Kiev, si dhe në Kharkiv, Mariupol e Sumy. Gjithë këto qytete janë nën sulme të ashpra nga forcat ruse.

Zyrtarët ukrainas ende nuk e kanë konfirmuar këtë.

Gjatë fundjavës, dështuan dy tentime për të evakuuar civilët në Mariupol.

Zyrtarët ukrainas e akuzuan Rusinë për vazhdim të bombardimeve në qytet gjatë orëve të armëpushimit.