Paetongtarn Shinawatra, vajza e ish-udhëheqësit përçarës Thaksin Shinawatra, është bërë kryeministre e Tajlandës, pasi mori një letër mbretërore miratimi të dielën. Vendimi vjen dy ditë pasi ajo u zgjodh nga Parlamenti.
Shinawatra zëvendëson një lider tjetër nga e njëjta parti “Pheu Thai”, në krye të një koalicioni që përfshin parti ushtarake të lidhura me grushtin e shtetit që rrëzoi qeverinë e fundit, raporton AP.
Paetongtarn është Shinawatra e tretë që mban këtë detyrë, pas babait të saj miliarder dhe hallës së saj, Yingluck Shinawatra. Të dy u larguan nga detyra dhe u detyruan të mërgonin gjatë grushteve të shtetit, megjithëse Thaksin u kthye në Tajlandë vitin e kaluar derisa “Pheu Thai” po formonte një qeveri.
Ajo mori letrën e emërimit në një ceremoni në selinë e partisë në Bangkok, ku morën pjesë anëtarë të lartë të partive në koalicionin qeverisës dhe babai i saj, i cili nuk ka asnjë rol formal, por shihet gjerësisht lider de facto i “Pheu Thai”.
Paetongtarn falënderoi mbretin, popullin tajlandez dhe ligjvënësit, duke thënë se ajo do t'i kryejë detyrat e saj "me mendje të hapur" dhe "do ta bëjë çdo centimetër katror të Tajlandës një hapësirë që lejon njerëzit tajlandez të guxojnë të ëndërrojnë, të guxojnë të krijojnë dhe të guxojnë të diktojnë të ardhmen e tyre.”
Paetongtarn u bë kryeministre disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese largoi kryeministrin Srettha Thavisin, pas më pak se një viti në detyrë. Gjykata e shpalli atë fajtor për një shkelje të rëndë etike për emërimin e një ministri të kabinetit i cili ishte burgosur për shpërfillje të gjykatës, pas një përpjekjeje të supozuar për të korruptuar një gjyqtar.
Paetongtarn është gjithashtu kryeministrja e dytë femër e Tajlandës pas hallës së saj, dhe udhëheqësja më e re e vendit në moshën 37-vjeçare.