Botë

Orbani u ka shkruar krerëve të BE-së për t'ua sqaruar vizitat e tij në Moskë e Pekin

Viktor Orban

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Kryeministri hungarez, Viktor Orban u ka dërguar një letër krerëve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian duke i informuar ata për një sërë vizitash të fundit të huaja që ai ka bërë, të cilat zemëruan liderët e tjerë në bllok, ka bërë të ditur të hënën drejtori politik i Orbanit.

Orbani këtë muaj vizitoi Ukrainën, Rusinë, Azerbajxhanin, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara në një turne botëror të cilin e ka cilësuar si "mision paqeje" që synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton AP.

Qeveria e tij ka shkuar kundër politikës së shumicës së vendeve të BE-së duke refuzuar të furnizojë Kievin me armë për të penguar pushtimin e Rusisë, dhe duke kërcënuar se do të bllokojë ndihmën financiare për vendin e shkatërruar nga lufta.

Vizitat e kryeministrit në Moskë dhe Pekin, ku ai zhvilloi bisedime me udhëheqësit Vladimir Putin dhe Xi Jinping, zemëruan homologët e tij të BE-së, të cilët thanë se nuk ishin informuar paraprakisht për planet e Orbanit. Ata nxituan të sqaronin se Orbani – vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës gjashtëmujore të bllokut, nuk po vepronte në emër të BE-së.

Në një intervistë me gazetën hungareze “Magyar Nemzet” të hënën, drejtori politik i Orbanit ka thënë se kryeministri i kishte informuar liderët e vendeve të tjera të BE-së “me shkrim për negociatat, përvojat e fazës së parë të misionit të paqes dhe propozimet hungareze”.

Kritikët e Orbanit e kanë akuzuar atë për veprim kundër unitetit dhe interesave të BE-së dhe NATO-s, anëtare e të cilave është Hungaria, dhe se po ndjek një strategji “paqësimi” në lidhje me agresionin e Rusisë.

Pas udhëtimit të paparalajmëruar të Orbanit në Moskë për bisedime me Putinin më 5 korrik - vizita e parë e tillë nga një kryetar shteti apo qeverie e BE-së në më shumë se dy vjet, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e akuzoi atë se po përpiqej të qetësonte liderin rus, duke shkruar në X: “Qëtësimi nuk do ta ndalë Putinin. Vetëm uniteti dhe vendosmëria do të hapin rrugën drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

Takimet e paparalajmëruara të Orbanit, të cilat përfshinin një takim me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump në pronën e tij në Mar-a-Lago javën e kaluar, kanë bërë që disa qeveri të konsiderojnë bojkotimin ose kufizimin e pjesëmarrjes në një seri takimesh të ardhshme joformale në Budapest lidhur me presidencën e radhës të BE-së.

LEXO EDHE: