Botë

Orbani takohet me Trumpin: Kthehu dhe na sill paqen

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të premten ka zhvilluar takim me Donald Trumpin, i cili pritet të jetë kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në shtetin amerikan të Floridës.

“Ata diskutuan një gamë të gjerë çështjesh që prekin Hungarinë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë rëndësinë e kufijve të fortë dhe të sigurt për të mbrojtur sovranitetin e secilit komb”, ka thënë ekipi i Trumpit në një deklaratë.

Orban shprehu besimin e tij në “X” se vetëm kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë paqe.

“Ne kemi nevojë për liderë në botë që respektohen dhe mund të sjellin paqe. Ai është një prej tyre! Kthehuni dhe na sillni paqen, zoti President”, ka shkruar Orban.

Orbani ka thënë se gjatë presidencës së Trumpit prej 2017 deri më 2021 kishte paqe në Lindjen e Mesme, si dhe në Ukrainë.

Ai shtoi se nuk do të kishte luftë në Ukrainë nëse Trumpi do të ishte rizgjedhur në vitin 2020.

Takimi zgjati rreth një orë në resortin Mar-a-Lago të Trumpit.

Orbani ka marrë pjesë në disa ngjarje pro-Trumpit në vitet e kaluara dhe ka përkrahur drejtpërdrejt rizgjedhjen e tij si president.