Botë

Orbani në SHBA pa ftesë zyrtare, takon Trumpin

Viktor Orbani i Hungarisë do të udhëtojë për në SHBA për ta vizituar Donald Trumpin, teksa SHBA-ja e BE-ja përgatiten për zgjedhje.

Kryeministri hungarez, i cili për kohë të gjatë është kritikuar nga qeveria amerikane për marrëdhëniet miqësore me Kremlinin, do të shkojë në SHBA këtë javë pa një ftesë nga Shtëpia e Bardhë.

Është një lëvizje pothuajse e padëgjuar më parë e bërë nga një lider i një shteti anëtar të NATO-s i cili nuk pritet ta takojë dikë nga Administrata Biden, raportoi Guardian. 

Ai pritet të flasë në një panel të Fondacionit të Trashëgimisë, para se të takohet me Trumpin në Florida të premten.

Vizita po shikohet nga afër në politikën e jashtme për shkak të frikës se Orbani mund ta përdorë qasjen te kandidati republikan për president që të promovojë çështje të Kremlinit mbi Ukrainën.

Orbani publikisht ka shprehur shpresën për ndërrim të politikës së jashtme në Washington dhe Bruksel.