Kryeministri hungarez Viktor Orban të premten doli kundër disa propozimeve të NATO-s që do të lejonin Ukrainën të përdorte armë perëndimore për të goditur objektivat brenda Rusisë, duke thënë se plane të tilla e bëjnë Evropën “të afrohet më pranë shkatërrimit”.
Gjatë një interviste të premten në radion shtetërore, Orban ka theksuar se qëndrimi i presidentit francez Emmanuel Macron se ai nuk do të përjashtonte dërgimin e trupave në Ukrainë, si dhe një propozim i NATO-s që do të lejonte Kievin të godiste bazat ushtarake brenda Rusisë me armë të sofistikuara me rreze të gjatë, ofruar nga partnerët perëndimorë, rrezikon përshkallëzimin e luftës në Ukrainë në një konflikt global.
Udhëheqësi nacionalist ka kundërshtuar prej kohësh vendet perëndimore që furnizojnë Ukrainën me ndihma ushtarake dhe ka kërcënuar të prishë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për Kievin dhe miratimin e sanksioneve kundër Moskës.
Ai gjithashtu ka mbajtur lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës, teksa ka vazhduar marrëveshjet energjetike me Moskën në kohën kur shumica e vendeve të BE-së kanë kërkuar të kufizojnë përdorimin e karburanteve ruse, raporton Associated Press.
SHBA-ja dhe Gjermania tashmë i kanë dhënë leje Ukrainës që t’i përdor armët e tyre për të goditur objektivat brenda Rusisë.