Një orë xhepi që i është dhënë kapitenit të anijes, i cili ka shpëtuar 700 të mbijetuar nga Titaniku, është shitur në ankand për rreth 2 milionë dollarë, duke vënë kështu rekord për sendet e koleksionuara nga anija e fundosur, raporton AP.
Ora 18-karatëshe e Tiffany & Co. i është dhënë nga tri gra kapitenit, Arthur Rostron, meqë u ka liruar vendin në anijen e pasagjerëve, “RMS Carpathia”, për t’i shpëtuar ato dhe të tjerët, pasi Titaniku ka goditur ajsbergun dhe është fundosur në veri të Oqeanit Atlantik, në vitin 1912.
Organizatorët e ankandit, Henry Aldridge and Son, të cilët ia shitën orën një koleksionisti privat në Shtetet e Bashkuara për 1.56 milionë funte britanike, thanë se është gjësendi më i paguar nga kujtimet e Titanikut. Çmimi përfshin taksat dhe tarifat e paguara nga blerësi.
Ora i është dhënë Rostronit nga e veja e John Jacob Astor, burri më i pasur në bord, dhe nga të vejat e dy biznesmenëve të tjerë të pasur që kanë vdekur në këtë fatkeqësi.
Ora e xhepit e Astorit, e cila ishte në trupin e tij kur u gjet shtatë ditë pasi u mbyt anija, kishte vendosur më parë rekordin për çmimin më të lartë të paguar për një objekt të Titanikut, duke fituar afro 1.5 milionë dollarë, nga e njëjta shtëpi ankandi në prill.
Drejtuesi i ankandit, Andrew Aldridge tha se fakti që ky send përkujtimor i Titanikut ka vendosur dy rekorde këtë vit, shfaq magjepsjen e qëndrueshme me historinë e vlerën e furnizimit që po pakësohet, si dhe kërkesën e lartë për artefakte të anijes.
Rostron u nderua si hero për veprimet e tij natën kur Titaniku u mbyt dhe ekuipazhi i tij u nderua për trimërinë e tyre.