Botë

Opozita pro-BE e Gjeorgjisë thotë se zgjedhjet iu “vodhën”

Bidzina Ivanishvili duke votuar

Foto: Associated Press

Partia në pushtet e Gjeorgjisë ka siguruar fitoren në zgjedhjet, pasi rezultatet preliminare i japin një epërsi të dukshme, raporton “BBC”. Zgjedhjet në Gjeorgji shihen si vendimtare për të ardhmen e shtetit në Evropë. 

Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” e biznesmenit Bidzina Ivanishvili ka marrë 54 për qind të votave kur janë numëruar votat në mbi 99 për qind të qendrave, thuhet nga Komisioni qendror zgjedhor i Gjeorgjisë. 

Rezultatet janë shumë ndryshe nga “exit pollët” dhe kryetarja e një prej partive opozitare beson se vota i është “vjedhur qytetarëve gjeorgjianë”. 

“Ne nuk pranojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të falsifikuara”, ka thënë Tina Bokuchava, që është në krye të Lëvizjes së Bashkuar Kombëtare. 

Një lider tjetër opozitar, Nika Gvaramia, ka thënë se “Ëndrra Gjeorgjiane” ka kryer një “grusht shtet kushtetues”. 

Si “Ëndrra Gjeorgjiane” ashtu edhe katër grupet opozitare pro-BE kishin shpallur fitoren bazuar në exit-pollët. 

Votuesit dolën në numër të madh të shtunën dhe kishte raportime të shumta për shkelje dhe po ashtu dhunë jashtë qendrave të votimit. 

Një koalicion i 2000 mbikëqyrësve të zgjedhjeve i quajtur “Vota ime” ka thënë se bazuar në shkallën e mashtrimit me vota dhe dhunën, nuk beson se rezultatet preliminare “reflektojnë vullnetin e gjeorgjianëve”. 

Opozita kishte përshkruar zgjedhjet e të shtunës si vendimtare për rrugën e vendit nëse do të shkojë drejt Evropës apo Rusisë.