Botë

Opozita izraelite bën thirrje për koalicion rajonal pas rënies së Assadit

Siri

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid bëri thirrje të dielën për krijimin e një koalicioni rajonal për t'u marrë me paqëndrueshmërinë rajonale pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad në Siri.

Assad u largua nga Siria në një vend të panjohur pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e kryeqytetit Damask herët të dielën, duke shënuar rënien e regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet në Siri që nga viti 1963.

Lëvizja erdhi pothuajse një javë pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Aleppos, një qytet i madh në Sirinë veriore.

“Përballë ngjarjeve në Siri, është më e rëndësishme se kurrë krijimi i një koalicioni të fortë rajonal, me Arabinë Saudite dhe vendet e Marrëveshjes së Abrahamit, në mënyrë që të përballemi së bashku me paqëndrueshmërinë rajonale”, ka thënë Lapid në llogarinë e tij në “X”.

Marrëveshja e Abrahamit, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka bërë që katër vende arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Sudani dhe Maroku, të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020.

Zyrtarët izraelitë kanë kërkuar prej kohësh të normalizojnë marrëdhëniet me Arabinë Saudite, por Riadi ka thënë se do të vendosë lidhje vetëm pasi t'i japë fund pushtimit izraelit prej dekadash të tokave palestineze.

“Boshti iranian është dobësuar ndjeshëm dhe Izraeli duhet të përpiqet për një arritje politike gjithëpërfshirëse që do ta ndihmojë gjithashtu në Gaza, Judea dhe Samaria (Bregu Perëndimor),” tha Lapid.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, duke lënë të vdekur më shumë se 44,600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

Muajin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhraarresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.

Lexo përditësimet tjera
Siri

Bie regjimi i Assadit në Siri

Qeveria siriane ka rënë herët të dielën duke shënuar një fund të sundimit 50-vjeçar të familjes...