Opozita e Turqisë është më e bashkuar se kurrë për ta rrëzuar nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan.
Të dielën Turqia organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat mund t’ia zgjasin pushtetin Erdoganit në dekadën e tij të tretë ose të shtrojnë rrugën e re për Turqinë.
Sfiduesi i Erdoganit është lideri sekular Kemal Kilicdaroglu. Ai është kandidati i aleancës prej gjashtë partive, të cilat ndryshe njihen si Tavolina e të Gjashtëve.
Ky koalicion ka premtuar se do të heqë sistemin presidencial që Erdogani e ka vendosur dhe ta kthejnë Turqinë në demokraci parlamentare.
Kilicdaroglu ka përkrahjen edhe të kurdëve që përbëjnë 10 për qind të votave, ndërkaq në sondazhet e fundit ka avantazh të lehtë përballë Erdoganit.
Gara do të jetë aq e ngushtë, saqë për fatin e Turqisë do të vendoset në balotazhin që pritet të mbahet më 28 maj.
Erdogani ka humbur përkrahjen për shkak të krizës ekonomike të viteve të fundit dhe kostos së jetesës.
Qeveria e tij gjithashtu është kritikuar për menaxhimin e dobët pas tërmetit vdekjeprurës që la të vdekur më shumë se 50 mijë njerëz në jug të Turqisë dhe në Siri.
Më shumë se 64 milionë, përfshirë 3.2 milionë në diasporë, kanë të drejtë vote në Turqi.