Botë

“Operacioni Akili”: Policia austriake po heton 10 mijë mafiozë nga Serbia dhe Mali i Zi

Radioja publike austriake Ö1 ka njoftuar të mërkurën se policia e Austrisë është duke zhvilluar hetime kundër disa grupeve të mëdha kriminale nga Serbia dhe Mali i Zi, të cilët kanë lidhje të ndryshme me Austrinë. Para dy viteve, sipas Ö1, ka filluar “kompleksi më i madh kriminalistoko-hetues” në historinë e Austrisë. Aksioni i koduar policor quhet “Operacioni Akili” (Operation Achilles). Zyra Federale e Kriminalistikës e Austrisë ka nisur hetime kundër 10 mijë personave që supozohet se i përkasin organizatave mafioze nga Serbia dhe Mali i Zi.

Gjatë hetimit të këtyre grupeve kriminale pala austriake ka bashkëpunuar me policinë federale amerikane FBI. Gjatë punës së përbashkët janë dekoduar kripto-telefona mobilë. Pronarët e këtyre telefonave dyshohen për kontrabandë me drogë, torturë dhe vrasje me porosi.

Në bisedë me Ö1 një hetues austriak nga Zyra Federale e Kriminalistikës tha: “Kemi të bëjmë me thyerje kockash, tortura, keqtrajtime, vrasje, de fakto ekzekutime, përfshirë copëtimin e gjymtyrëve të ndryshme dhe ekspozimin e tyre. Kjo ndodh edhe në qendër të Europës. Nuk dua të përjashtoj mundësinë që kjo të ketë ndodhur edhe në Vjenë”.

Në Austri këtë grup janë duke e hetuar 15 zyrtarë nga Zyra Federale e Kriminalistikës dhe zyrtarë të tjerë nga drejtoritë e kriminalistikës në landet austriake. Ata kanë verifikuar biseda në chat, fotografi dhe video të mbi 10 mijë personave dhe rreth 50 grupeve kriminale që kishin lidhje në Austri. Fokusi, sipas hetuesve, drejtohet kundër klaneve serbe dhe malazeze.

Hetuesi nga Zyra Federale e Kriminalistikës tha se Austria është zonë ku fshihen dhe ku zhvillojnë negociata këto klane mafioze. Torturat dhe vrasjet në Ballkan, sipas zyrtarit austriak, janë pjesë e luftës së bandave dhe aksioneve ndëshkuese. Njëri nga drejtuesit e bandës akuzohet për tetë vrasje.Më 2021 ai ishte njëri nga 81 personat e arrestuar në Austri në kuadër të një aksioni policor me shtrirje ndërkombëtare. Ai është dënuar me 8 vjet burg. Në përgjithësi pas aksionit “Operacioni Akili” janë shqiptuar më shumë se 200 vjet burg.