Botë

Omicroni rikthen kohët e errëta

Kufizimet e reja, apo ndryshimet në ato të mëparshmet, po shfaqen gjithkah në botë, e sidomos në Evropë, ku udhëheqësit janë në gjendje të vështirë për të shpjeguar se çka do të thotë një premtim i thyer: që vaksinimi masiv nënkupton përfundimin e kufizimeve të urryera

Grekët të cilët janë mbi moshën 60-vjeçare e që refuzojnë vaksinat e koronavirusit mund të dënohen me gjoba mujore deri në më shumë se një e katra e pensionit të tyre- një rregull i vështirë që politikanëve të vendit do t’u kushtojë me votë, por që do të shpëtojnë jetë.

Protestat javore në Holandë mbi vendimin e orës policore në 17:00 dhe kufizimeve të tjera kanë kaluar në dhunë, pavarësisht asaj që duket të jetë pranimi dërrmues i rregullave.

Derisa varianti delta i COVID-19 po i rrit rastet në Evropë, e më të po rritet edhe frika për variantin e omicronit, qeveritarët mbarë botën po i vendosin masat e reja për popullsitë që janë lodhur tashmë duke dëgjuar rreth kufizimeve dhe vaksinave.

Është një llogaritje e mprehtë, që vështirësohet edhe më shumë nga perspektiva e reagimit, rritja e ndarjeve sociale, dhe për shumë politikanë frika e votimit për largim nga zyra.

“E di zemërimin që të gjithë e ndiejmë me këtë variantin e ri omicron, ndjenjën e lodhjes që ndoshta duhet ta përjetojmë edhe një herë krejt këtë”, ka thënë kryeministri britanik Boris Johnson të martën, dy ditë pasi qeveria njoftoi që maskat do të jenë prapë të detyrueshme në dyqane e në transportin publik, kurse të gjithë vizitorëve u kërkohet të bëjnë test të COVID-19 dhe të karantinohen. “Po përpiqemi të kemi një qasje të balancuar dhe proporcionale”.

Gjobat e ashpra

Kufizimet e reja, apo ndryshimet në ato të mëparshmet, po shfaqen gjithkah në botë, e sidomos në Evropë, ku udhëheqësit janë në gjendje të vështirë për të shpjeguar se çka do të thotë një premtim i thyer: që vaksinimi masiv nënkupton përfundimin e kufizimeve të urryera.

“Njerëzimit i duhet normaliteti. Ata kanë nevojë për familje, të shohin familjet, të jenë të sigurt në distancat sociale, mirëpo me të vërtetë, mendoj se për këto Krishtlindje tani, ata kanë duruar mjaft”, ka thënë Belinda Storey, që posedon një tezgë në tregun e Krishtlindjeve në Nottingham të Anglisë.

Në Holandë, ku ora policore hyri në fuqi javën e kaluar, ka rritur numrin e kontrolleve të policisë për t’i ndalur demonstratat kundër bllokimit, pasi Holanda hyn në grupin e vendeve me masa më të rrepta në botë. Mirëpo shumica e njerëzve dukeshin se kishin hequr dorë dhe po nxitonin t’i kryenin punët e të shkonin në shtëpi.

“Gjëja e vetme që mund të bëjmë është t’i dëgjojmë rregullat, t’i ndjekim ato dhe të shpresojmë se situata nuk do të përkeqësohet. Për mua nuk është problem. Unë jam infermiere. E di sa shumë mund të sëmuren njerëzit”, ka theksuar Wilma van Kampen.

Në Greqi, banorët mbi 60 vjeç do të përballen me gjoba prej 100 eurosh në muaj nëse nuk vaksinohen. Gjobat do të merren nga taksat në janar.

Rreth 17% e grekëve mbi moshën 60-vjeçare janë të pavaksinuar, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë që t’i marrin dozat e tyre, nëntë në dhjetë grekë aktualisht që po vdesin nga COVID-19 i takojnë kësaj moshe.

“Nuk brengosem në qoftë se masat do të më kushtojnë me disa vota në këto zgjedhje”, ka vënë në dukje kryeministri Kyriakos Mitosotakis të mërkurën, pasi ligjvënësit e kaluan ligjin për masa. “Jam i bindur që po e bëjmë gjënë e duhur, e që kjo rregullore do të shpëtojë jetë”.

Qeveria e Sllovakisë ka propozuar t’u japë personave nga 60 vjeç e më shumë një shpërblim prej 500 eurosh nëse ata vaksinohen.

Në Izrael, qeveria këtë javë ka aprovuar vazhdimin e përdorimit të një teknologjie mbikëqyrëse nga telefoni, për të mbajtur kontakte në gjurmimin e personave të konfirmuar me variantin omicron.

Grupi i të drejtave të Izraelit e ka qortuar përdorimin e teknologjisë si shkelje e të drejtave të privatësisë, e të tjerët kanë theksuar se saktësia e saj në vendet e brendshme është me të meta, duke çuar në numër të madh të njerëzve të shënuar gabimisht. Gjykata e lartë në fillim të këtij viti nxori një vendim që kufizon përdorimin e saj.

“Duhet ta përdorim këtë vegël vetëm në raste ekstreme, dhe nuk jam i sigurt që gjendemi në atë lloj situate”, ka sqaruar ministri i drejtësisë, Gideon Saar, për transmetuesin publik Kan të Izraelit këtë javë.

Përplasjet amerikane

Në Afrikën Jugore, ku studiuesit identifikuan variantin e omicronit, kufizimet e mëhershme përfshinin orën policore dhe ndalimin e shitjes së alkoolit. Këtë herë, presidenti Cyril Ramaphosa është thjesht duke bërë thirrje që njerëzit të vaksinohen më shumë “që të ndihmojnë në rikthimin e lirisë shoqërore, që të gjithë neve po na mungon”.

Në SHBA, ka pak oreks nga secila parti për rikthim të bllokimit ose gjurmimeve të ashpra të kontaktit. Zbatimi i masave edhe më të thjeshta, siç është mbajtja e maskës, është bërë një pikë e nxehtë politike. Kurse republikanët janë duke e paditur administratën e Bidenit për kërkesat e reja të vaksinimit a testimit për punëdhënësit e mëdhenj.

Presidenti Joe Biden, fati politik i të cilit mund të varet nga kontrollimi i situatës pandemike, ka përdorur një kombinim të presionit dhe thirrjeve urgjente për t’i shtyrë njerëzit të marrin vaksinat e para. Po ashtu administrata po punon për kërkesën për të gjithë udhëtarët që fluturojnë për në SHBA të testohen brenda një dite para se të kapin fluturimin e tyre, nga tri ditë sa ishte më parë.

Mirëpo Bideni ka thënë se SHBA-ja do ta luftojë COVID-in dhe çdo variant tjetër “jo vetëm me bllokime e mbyllje, por edhe me vaksinim më të gjerë, përforcime, testime etj”.

“Nëse njerëzit janë vaksinuar dhe mbajnë maskat, nuk ka nevojë për mbyllje”, ka shkruar ai.

Maskat, vendimtare

Rritja e variantit të ri nuk përbën ndonjë ndryshim të madh për Mark Christensen, një blerës drithi për një fabrikë etanoli në Nebraska. Ai refuzon çdo detyrim të vaksinimit dhe nuk e kupton se pse është kaq e nevojshme. Sipas tij, shumë biznese në këndin e këtij shteti janë shumë të vogla për t’iu nënshtruar rregulloreve.

“Nëse vetëm do të më inkurajonin ta merrja, është tjetër gjë”, ka treguar Christensen. “Mirëpo unë besoj në lirinë e zgjedhjes, jo në vendimet që merren me forcë”.

Kili ka ndërmarrë masa edhe më të rrepta që nga shfaqja e omicronit: Personat mbi moshën 18-vjeçare duhet të marrin një dozë përforcuese çdo gjashtë muaj që ta mbajnë lejekalimin për qasje në restorante, hotele dhe tubime publike.

Kili asnjëherë nuk e ka hequr masën për largimin e maskës në publik- e cila me gjasë është masa që është rikthyer më së shumti anembanë botës.

Madhukar Pai ka shpjeguar se maskat janë një mënyrë e lehtë, pa dhimbje, që ndihmon në uljen e transmetimit, mirëpo ato testet e lira që mund të bëhen edhe në shtëpi, duhet të shpërndahen më shumë, si në vende të pasura ashtu edhe në të varfra.

Ai ka treguar se kjo i ndihmon që të dyja kategoritë të kenë një qasje në ndjenjën e kontrollit për sjelljet e tyre, që tashmë ka humbur bashkë me mbylljen, e kjo do ta bënte më të lehtë për ta pranuar anulimin e disa sendeve, siç janë festat ose të qëndruarit në ambiente të mbyllura.

Pai ka sqaruar se kërkimi i përforcuesve botërisht, siç është rasti konkret në Izrael, Kili dhe shumë shtete tjera në Evropë, përfshirë edhe Francën, vetëm do ta zgjasë situatën pandemike duke e bërë më të vështirë marrjen e dozave të para për vendet në zhvillim. Kjo i rrit gjasat për më shumë variante.

Bllokimet duhet të jenë hapi i fundit, ka spikatur ai.

Mbylljet duhet të ndodhin vetëm kur sistemi dështon”, ka thënë ai. “Atë e bëjmë kur sistemi i spitaleve është gati të shembet. Është thirrja e fundit që tregon se ju keni dështuar t’i bëni gjërat siç duhet”.

E Kina deri më tash nuk e ka ndier nevojën për kufizime të reja për variantin e ri omicron. Kreu i njësisë epidemiologjike të Qendrës së Kinës për Kontrollin e Sëmundjeve, Wu Zunyou, ka sqaruar se deri më tani omicroni përbën një kërcënim të menaxhueshëm, dhe “pavarësisht se cili variant, masat tona të shëndetit publik janë efektive”.