Kombet e Bashkuara thonë se premtimi për një zgjidhje me dy shtete rrezikon të zhduket teksa luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë.
"Zgjidhja me dy shtete është afër një pike pa kthim”, ka deklaruar të martën sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.
"Thirrja ime drejtuar vendeve anëtare është e qartë dhe urgjente: Merrni veprime të pakthyeshme drejt zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete”, ka shtuar ai.
Guterres ka thënë se bota nuk duhet të lejojë ekstremistët në asnjërën anë të minojnë atë që ka mbetur nga procesi i paqes. Ai ka nënvizuar veprimet e ndërmarra nga forcat izraelite dhe provokimet nga Hamasi, duke përfshirë sulmet me raketa dhe sulmet ndaj kolonëve.
Guterres ka theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit dhe mbajtjes së paprekur të kufijve territorialë të Gazës.
“Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez”, është shprehur ai.
Guterres ka shtuar se që nga përfundimi i armëpushimit më 18 mars, 2,000 palestinezë janë vrarë si pasojë e luftimeve.