Botë

OKB: Pothuajse asnjë ndihmë s’ka arritur në veri të Gazës për 40 ditë

Gaza, lufta ne Gaza

Foto: Associated Press

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paralajmëruar se palestinezët po “përballen me kushte minimale për mbijetesë” në disa pjesë të Gazës veriore të rrethuara nga forcat izraelite, sepse praktikisht asnjë ndihmë nuk është dorëzuar në 40 ditë.

OKB-ja ka shtuar se të gjitha përpjekjet e saj për të mbështetur rreth 65,000 deri në 75,000 njerëz në Beit Hanoun, Beit Lahia dhe Jabalia këtë muaj ishin mohuar ose penguar, duke detyruar furrat e bukës dhe kuzhinat të mbyllen, raporton BBC.

Në fillim të këtij muaji, në një vlerësim të mbështetur nga OKB-ja thuhej se ekzistonte një mundësi e madhe që uria të ndodh shumë shpejt në zonat e Gazës veriore.

Qindra njerëz janë vrarë dhe midis 100,000 dhe 130,000 të tjerë janë zhvendosur në qytetin e Gazës, ku OKB-ja ka thënë se burimet thelbësore si strehimi, uji dhe kujdesi shëndetësor janë jashtëzakonisht të kufizuara.

Sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), agjencitë e OKB-së kishin planifikuar 31 misione në zonat e rrethuara të provincës së Gazës Veriore midis 1 dhe 18 nëntorit.

Njëzet e shtatë janë refuzuar nga autoritetet izraelite dhe katër të tjera janë penguar rëndë, që do të thotë se ata u penguan të kryenin të gjithë punën që synon të bënin.