Policia talebane e moralit ka arrestuar burra dhe berberët e tyre për shkak të modeleve të flokëve, dhe të tjerë sepse nuk kishin shkuar të kryenin lutjet në xhami gjatë Ramazanit, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Ministria e Virtytit ka publikuar ligjet në gusht dhe përfshinin aspekte të jetës së përditshme në Afganistan, përfshirë transportin publik, muzikën, prerjen e flokëve e festimet. Më e theksuar ishte ndalimi i zërave të grave dhe fytyrave të tyre në publik.
Në raportin e publikuar të enjten thuhet se në gjashtë muajt e parë të zbatimit të ligjeve, mbi gjysma e dënimeve ishin bërë ndaj burrave për shkak të gjatësisë të mjekrës ose formës së flokëve, apo për berberët që kishin ofruar këto shërbime, raportoi AP.
Raporti ka thënë se policia e moralit vazhdimisht ka dënuar njerëz në mënyrë arbitrare pa procedura dhe mbrojtje ligjore.
Gjatë muajit të Ramazanit, prania e burrave në xhami ishte e detyrueshme dhe monitorohej nga afër, duke bërë që ata që nuk ishin prezent të dënoheshin.
