Botë

OKB: Mbi 150 mijë palestinezë kanë ikur nga Khan Younis që nga e hëna

Khan Younis ikja e palestinezëve

Foto: Associated Press

Mbi 150 mijë persona kanë ikur nga qyteti Khan Younis në Gaza që nga e hëna, kanë njoftuar dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, raporton “BBC”.

Khan Younis, që gjendet në jug të Rripit të Gazës, ka qenë shënjestër e ofensivës së re të ushtrisë së Izraelit, e cila po thotë se po synon t’i luftojë “përpjekjet e Hamasit për t’u rigrupuar atje”.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë lëshuar një urdhër evakuimi për pjesët lindore të Khan Younisit të hënën. Po ashtu kanë reduktuar madhësinë e zonës humaitare al-Mawasi, për të cilën ka thënë se po përdoret nga luftëtarët e Hamasit për të kryer “aktivitete terroriste dhe lansim të raketave”. 

Të paktën 80 palestinezë janë vrarë që kur operacioni izraelit ka nisur në këtë zonë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. 

Një zyrtar nga Unrwa – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë – i ka thënë “BBC” se afro 150 mijë persona kanë ikur nga Khan Younis që nga e hëna, kur u lëshua urdhri i evakuimit. 

“Rreth 80 për qind të Rripit të Gazës është vendosur nën urdhër të evakuimit apo është caktuar nga ushtria izraelite si zonë ku nuk bën të shkohet”, ka thënë Louise Wateridge. 

Të martën, tanke janë parë duke depërtuar thellë në qarkun Bani Suhaila, ku operacionet po vazhdojnë në zonat e Al-Qararas.