Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (WFP) ka bërë të ditur të shtunën se asnjë ndihmë ushqimore nuk ka hyrë në Gazën veriore që nga 1 tetori.
Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se kalimi parësor kufitar në zonën e shkatërruar nga lufta ishte mbyllur për rreth dy javë, duke paralajmëruar se operacioni tokësor i vazhdueshëm i Izraelit ka një ndikim katastrofik në sigurinë ushqimore për mijëra familje palestineze atje, raporton AP.
"Veriu është në thelb i ndaluar dhe ne nuk jemi në gjendje të operojmë atje”, ka thënë Antoine Renard, drejtori i WFP për territoret palestineze.
Shqetësimet për një krizë urie janë rritur në Gaza afërsisht një muaj pasi hetuesi i pavarur i OKB-së për të drejtën e ushqimit akuzoi Izraelin për kryerjen e një "fushate urie" kundër palestinezëve.
Izraeli ka mohuar akuza të tilla dhe ka insistuar se ka lejuar ushqime dhe ndihma të tjera në Gaza në sasi të konsiderueshme.
“Izraeli nuk e ka ndalur hyrjen apo koordinimin e ndihmave humanitare që hyjnë nga territori i tij në Rripin verior të Gazës. Si dëshmi, ndihma humanitare e koordinuar nga COGAT dhe organizatat ndërkombëtare do të vazhdojë të hyjë në Rripin verior të Gazës edhe ditën e ardhshme”, ka thënë në një deklaratë të mërkurën COGAT, organi ushtarak izraelit që mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave.
Mirëpo WFP-ja ka thënë se pikat e saj të shpërndarjes së ushqimit, si dhe kuzhinat dhe furrat e bukës në Gazën veriore, janë detyruar të mbyllen për shkak të sulmeve ajrore, operacioneve tokësore ushtarake dhe urdhrave të evakuimit. Sipas WFP-së, e vetmja furrë buke funksionale në Gazën e Veriut, e mbështetur nga ajo, mori flakë pasi u godit nga një municion shpërthyes.