Ekipi i OKB-së vizitoi Izraelin midis 29 janarit dhe 14 shkurtit. Sipas raportit, 33 takime u mbajtën me përfaqësuesit izraelitë dhe u ekzaminuan më shumë se 5000 imazhe fotografike si dhe 50 orë filmime video
(BBC) - Një ekip i OKB-së ka deklaruar se në bazë të provave të mbledhura, anëtarët e Hamasit që sulmuan Izraelin më 7 tetor kanë kryer përdhunime.
Ata thanë se kishin informacione bindëse se pengjet i ishin nënshtruar dhunës seksuale.
Hamasi ka mohuar se personat e armatosur kanë sulmuar seksualisht gratë gjatë sulmeve.
“Ekipi zbuloi se ka arsye të mëdha për të besuar se dhuna seksuale ka ndodhur në shumë vende gjatë sulmeve të 7 tetorit”, thuhet në raportin e OKB-së. “Besohet se dhunime ka pasur në vendin ku u mbajt festivali muzikor Nova dhe në rrethinat e tij, Road 232 dhe Kibbutz Re’im”.
Persona të armatosur të Hamasit depërtuan në Izraelin jugor më 7 tetor duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 253 të tjerë.
Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë 30.500 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Raportet e dhunës seksuale të kryera nga Hamasi – e cila është shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe dhe vende të tjera - filluan të shfaqeshin menjëherë pas 7 tetorit dhe janë grumbulluar në mënyrë të qëndrueshme që atëherë.
Në raport, OKB-ja tha se kishte “gjetur informacion të qartë dhe bindës se dhuna seksuale, duke përfshirë përdhunimin, torturën seksuale, trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues është kryer kundër pengjeve”.
Ai tha gjithashtu se “ka arsye për të besuar se një dhunë e tillë mund të jetë e vazhdueshme kundër atyre që ende mbahen në robëri”.
Ekipi i OKB-së vizitoi Izraelin midis 29 janarit dhe 14 shkurtit.
Sipas raportit, 33 takime u mbajtën me përfaqësuesit izraelitë dhe u ekzaminuan më shumë se 5000 imazhe fotografike si dhe 50 orë filmime video.
Disa akuza për përdhunim dhe dhunë seksuale ishin “të pabaza”, shpjegoi raporti, duke përfshirë rastin e publikuar grafikisht të një gruaje shtatzënë, barku i së cilës thuhet se ishte çarë dhe fetusi i saj ishte therur me thikë. Raportet e tjera nuk mund të verifikoheshin për shkak të imazheve të kufizuara, tha OKB.
“Izraeli mirëpret njohjen përfundimtare që Hamasi kreu krime seksuale”, tha Lior Haiat, zëdhënës i Ministrisë së jashtme izraelite, në përgjigje pas publikimit të raportit.
Ai shtoi se Izraeli tani “po bën thirrje për mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurimit me qëllim të përcaktimit të Hamasit si një organizatë terroriste dhe vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj tij”.
Megjithatë, Haiat hodhi poshtë raportin e ekipit të OKB-së se kishte marrë gjithashtu informacione për dhunën seksuale ndaj burrave dhe grave palestineze në ambientet e paraburgimit, gjatë bastisjeve të shtëpive dhe në pikat e kontrollit pas 7 tetorit.
“Kjo është një manovër tallëse dhe e qëllimshme palestineze që synon të krijojë një barazi të patolerueshme midis krimeve të tmerrshme që janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen nga Hamasi dhe pretendimeve dashakeqe dhe të pabaza të bëra kundër Izraelit dhe izraelitëve”, ka thënë ai.
Izraeli ka hedhur poshtë akuzat e ngjashme të bëra më parë nga një panel ekspertësh të pavarur të OKB-së, duke i cilësuar si “të neveritshme dhe të pabaza”.
Haiat tha gjithashtu se Izraeli kundërshtoi një rekomandim të bërë në raport që vendi të bashkëpunojë me Komisionin Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së, i cili po përpiqet të kryejë një hetim mbi krimet e mundshme të luftës nga të gjitha anët.
Ai e cilësoi hetimin si armiqësor ndaj Izraelit.
Ndërkohë, ministri i jashtëm izraelit, Israel Katz, të hënën tërhoqi ambasadorin e vendit në OKB kinse për “konsultime”, duke akuzuar organizatën për “përpjekje për të heshtur raportin e rëndë të OKB-së për përdhunimet masive”,
Ai kritikoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për mosmbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar gjetjet dhe për ta shpallur Hamasin një organizatë terroriste.