Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të votojë të premten një rezolutë që do t’i japë “të drejta dhe privilegje” të reja Palestinës.
Asambleja po ashtu do t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë kërkesën e saj për t’u bërë anëtari i 194-të i Kombeve të Bashkuara, raporton AP.
Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të mbështetur gjerësisht më 18 prill që do të hapte rrugën për anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara për Palestinën, një qëllim që palestinezët e kanë synuar prej kohësh dhe Izraeli ka punuar për ta parandaluar.
Zëvendësambasadori i SHBA-së, Robert Wood e bëri të qartë të enjten se Administrata e Bidenit është kundër rezolutës së Asamblesë.
Sipas Kartës së OKB-së, anëtarët e mundshëm të Kombeve të Bashkuara duhet të jenë "paqedashës" dhe Këshilli i Sigurimit duhet të rekomandojë pranimin e tyre në Asamblenë e Përgjithshme për miratim përfundimtar.
Palestina u bë një shtet vëzhgues jo-anëtar i OKB-së në vitin 2012.
“Ne kemi thënë që në fillim se mënyra më e mirë për të siguruar anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB është ta bëjmë këtë përmes negociatave me Izraelin. Ky mbetet qëndrimi ynë”, ka deklaruar Wood.
Por ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh nuk ka veto dhe rezoluta pritet të miratohet me një shumicë të madhe, sipas tre diplomatëve perëndimorë, të cilët folën në kushte anonimiteti, sepse negociatat ishin private.
Rikthimi i kërkesës për anëtarësim të plotë të Palestinës në OKB vjen në kohën kur lufta në Gaza e ka vënë konfliktin prej më shumë se 75-vjetësh ndërmjet Izraelit e Palestinës, në qendër të vëmendjes.
Ditë më parë është raportuar se Irlanda, Spanja dhe një numër i shteteve të tjera të Bashkimit Evropian janë duke shqyrtuar njohjen e shtetit palestinez më 21 maj, sipas një raporti të transmetuesit nacional të Irlandës.
Sipas raportit, shtetet janë duke pritur për një votim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 maj, e cila mund të çojë në njohjen e palestinezëve, si të kualifikuar për t'u bërë një anëtar i plotë i OKB-së.
LEXO EDHE: