Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka deklaruar se Gaza është pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez, duke thënë në një takim në New York se të drejtat e palestinezëve për të jetuar si qenie njerëzore në tokën e tyre po shkelen edhe më tej.
Ai madje ka paralajmëruar kundër “çdo forme të spastrimit etnik”, raporton BBC.
Presidenti palestinez po ashtu ka thënë se ai kundërshton fuqishëm propozimin e presidentit, Donald Trump që SHBA-ja të marrë kontrollin e Gazës dhe të zhvendosë 2.1 milionë palestinezë që jetojnë atje.
"Ne nuk do të lejojmë të cenohen të drejtat e popullit tonë”, ka theksuar Mahmoud Abbas, duke paralajmëruar se Gaza është "pjesë integrale e Shtetit të Palestinës" dhe zhvendosja e detyruar do të ishte një shkelje serioze e të drejtës ndërkombëtare.
Hamasi, lufta 15-mujore e të cilit me Izraelin ka shkaktuar shkatërrim të gjerë, ka thënë ndërkaq se plani i Trumpit do të "vë vaj në zjarr" në rajon.
Ideja është hedhur poshtë nga vende në rajon si Jordania dhe Egjipti, dhe aleatët kryesorë të SHBA-së.
Arabia Saudite ka thënë se palestinezët "nuk do të lëvizin" nga toka e tyre dhe se nuk do të normalizonte lidhjet me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez.
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur se propozimi i Trumpit mund të "ndryshojë historinë" dhe se ia vlen t'i kushtohet vëmendje.
Më vonë të mërkurën, Shtëpia e Bardhë ka dalë me një sqarim për propozimin e presidentit Trump.
Sekretarja për shtyp, Karoline Leavitt, u ka thënë gazetarëve se presidenti është i përkushtuar për rindërtimin e Gazës dhe zhvendosjen "përkohësisht" të banorëve të saj.
Ajo ka thënë gjithashtu se presidenti nuk është zotuar të dërgojë trupa amerikane në Gaza.
Komentet e Trump vijnë dy javë pas fillimit të një armëpushimi të brishtë në Gaza, gjatë së cilit Hamasi ka liruar disa pengje izraelite që mban në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Ushtria izraelite ka nisur një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
Më shumë se 47,540 njerëz janë vrarë dhe 111,600 janë plagosur në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi.
Shumica e popullsisë së Gazës gjithashtu është zhvendosur disa herë, pothuajse 70% e ndërtesave vlerësohet të jenë të dëmtuara ose të shkatërruara, sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur, dhe ka mungesë të ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit.