Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten një rezolutë që i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të rishqyrtojë kërkesën e Palestinës për t'u bërë anëtari i 194-të i Kombeve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të këshillit të mbështetur gjerësisht më 18 prill që do të hapte rrugën për anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara për Palestinën, një qëllim që palestinezët e kanë synuar prej kohësh.
Zëvendësambasadori i SHBA Robert Wood e bëri të qartë të enjten se Administrata e Bidenit është kundër rezolutës së Asamblesë.
Sipas Kartës së OKB-së, anëtarët e mundshëm të Kombeve të Bashkuara duhet të jenë "paqedashës" dhe Këshilli i Sigurimit duhet të rekomandojë pranimin e tyre në Asamblenë e Përgjithshme për miratim përfundimtar.
Zyrtarë shtetërorë izraelitë patën thënë se planet për njohjen e Palestinës përbëjnë një çmim për terrorizmin, që do t’i reduktonin shanset për zgjidhje të negociuar të luftës në Gaza.
Që nga viti 1988, 139 nga 193 shtetet anëtar të OKB-së e kanë njohur shtetësinë palestineze.