Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë jodetyruese të hartuar nga palestinezët, që kërkon që Izraeli t'i japë fund "pranisë së tij të paligjshme në territorin palestinez të pushtuar" brenda 12 muajve.
Rezoluta u miratua me 124 vota pro dhe 14 kundër, duke përfshirë Izraelin, së bashku me 43 abstenime. Si një shtet vëzhgues jo-anëtar, Palestina nuk mund të votonte, raporton BBC.
Rezoluta bazohet në një opinion këshillues të korrikut nga gjykata më e lartë e OKB-së që thoshte se Izraeli po pushtonte Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ambasadori palestinez e quajti votimin një pikë kthese “në luftën tonë për liri dhe drejtësi”. Por homologu i tij izraelit e denoncoi atë si "terrorizëm diplomatik".
Megjithëse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, ato kanë peshë simbolike dhe politike duke qenë se pasqyrojnë qëndrimet e të 193 shteteve anëtare të OKB-së.
Miratimi i rezolutës vjen pas gati një viti lufte në Gaza, e cila filloi kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1,200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë.
Më shumë se 41,110 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit të Hamasit.
Ka pasur gjithashtu një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor gjatë së njëjtës periudhë, nga e cila OKB-ja thotë se janë vrarë më shumë se 680 palestinezë dhe 22 izraelitë.