Botë

OKB-ja kërkon hetim për sulmin vdekjeprurës izraelit në veri të Libanit

Liban

Zyra humanitare e OKB-së ka bërë thirrje për një hetim mbi një sulm ajror izraelit që la të vdekur 23 persona në Libanin verior të hënën.

Zëdhënësi Jeremy Laurence ka thënë se sulmi, në fshatin Aitou me shumicë të krishterë, ngriti "shqetësime reale" në lidhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, raporton BBC.

Laurence ka thënë se 12 gra dhe dy fëmijë mendohet se ishin në mesin e të vdekurve nga bombardimi, i cili shkatërroi një ndërtesë banimi që i ishte dhënë kohët e fundit me qira një familjeje të zhvendosur nga jugu.

Punonjësit e shpëtimit ende po nxirrnin trupa nga rrënojat në Aitou të martën, në vendin që është larg fokusit të konfliktit deri më sot në jug të Libanit, Luginën Beqaa dhe pjesë të Bejrutit.

Elie Alwan, pronari i shtëpisë në Aitou, u ka thënë gazetarëve se ajo ishte marrë me qira për një familje prej rreth 10 personash, të cilëve më vonë iu bashkuan rreth 10 të tjerë.

Alwan ka shtuar se nuk kishte pasur probleme me qiramarrësit derisa një veturë kishte ardhur në shtëpi të hënën dhe shoferi i saj me sa duket dërgonte para të gatshme, e më pas kishte ndodhur sulmi.

Sulmet ajrore izraelite ndaj anëtarëve të Hezbollahut në zonat ku zakonisht vepron grupi i kanë shtyrë anëtarët e tij në pjesë të tjera të vendit, duke krijuar frikë në të gjithë Libanin se objektivat izraelitë mund të jenë kudo.