Botë

OKB-ja bën thirrje për qetësi pas sulmeve ndërmjet Izraelit e Hezbollahut

Ilustrim

Ilustrim

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thënë se është "thellësisht i shqetësuar" me rundin e ri të sulmeve ndërkufitare ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, duke i cilësuar ato më të mëdhatë që nga fillimi i luftës në Gaza.

Të dielën, avionët izraelitë goditën dhjetëra vende në të gjithë Libanin jugor, derisa i cilësoi ato si sulme për të parandaluar një sulm shumë më të gjerë.

Edhe Hezbollahu lëshoi qindra raketa dhe drone në drejtim të Izraelit.

Guterres paralajmëroi se veprimet e tyre rrezikojnë civilët, si dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

SHBA-ja ka bërë të ditur se po punonte për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të armiqësive, derisa të dyja palët lanë të kuptohej se nuk ishin të interesuara për luftë.

Skëmbime zjarri përgjatë kufirit Izrael-Liban ka pasur pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, më 7 tetor.

Hezbollahu ka thënë se po vepron në mbështetje të grupit palestinez. Të dyja janë të mbështetura nga Irani dhe të ndaluara si organizata terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe dhe vende të tjera.

Që nga tetori, më shumë se 560 njerëz janë raportuar të vrarë nga ministria e Shëndetësisë e Libanit, shumica dërrmuese e tyre luftëtarë të Hezbollahut, ndërsa 26 civilë dhe 24 ushtarë janë vrarë në Izrael, sipas autoriteteve.

Pothuajse 200,000 njerëz janë zhvendosur gjithashtu në të dy anët e kufirit.

Sulmi izraelit ndaj Hezbollahut filloi para agimit të së dielës, kur ushtria bëri të ditur se rreth 100 avionë bombarduan mijëra raketahedhës në më shumë se 40 vende në Libanin jugor.

Sulmet izraelite nisën pasi u zbuluan përgatitje për një sulm ajror në shkallë të gjerë nga Hezbollahu, sipas ushtrisë.

Hezbollah ka thënë se dy nga luftëtarët e tij u vranë në sulme, së bashku me një luftëtar tjetër nga lëvizja aleate Amal.

Hezbollahu ka bërë të ditur se kishte shënjestruar dhe goditur 11 objekte ushtarake në Izrael dhe lartësitë e pushtuara të Golanit me 340 raketa dhe një numër të madh dronësh.

Grupi militant e përshkroi sulmin si përgjigje ndaj vrasjes së komandantit të lartë ushtarak Fuad Shukr, i cili u vra në një sulm izraelit në Bejrut më 30 korrik.