Botë

OKB-ja bën thirrje për hetime pas zbulimit të varreve masive në dy spitale të Gazës

Volker Turk

Foto: Associated Press

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për hetime të qarta, transparente dhe të besueshme, pas zbulimit të varreve masive në dy spitale të mëdha në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”. 

“Hetuesit kredibilë duhet të kenë qasje në vendet ku janë zbuluar varret masive dhe më shumë gazetarë duhet të jenë në gjendje të punojnë të sigurt në Gaza për të raportuar mbi faktet”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, tha se është “i tmerruar” nga shkatërrimet  e spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës dhe spitalit Nasser në qytetin jugor Khan Younis, si dhe nga raportimet për zbulimin e varreve masive brenda dhe përreth objekteve pas largimit të trupave izraelite. 
Ai ka bërë thirrje për hetime të pavarura dhe transparente, duke thënë se për shkak të klimës mbizotëruese të mosndëshkimit, duhet përfshirë edhe hetuesit ndërkombëtarë. 

“Vrasja e qëllimshme e civilëve, të burgosurve dhe të tjerëve që janë ‘hors de combat’ (të paaftë për t’u përfshirë në luftime) është një krim lufte”, ka shtuar Türk.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Vedant Patel, i ka quajtur raportet për varret masive të zbuluara në dy spitalet “tepër shqetësuese” dhe ka njoftuar se zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar qeverisë izraelite informacion.

Ushtria izraelite në anën tjetër ka thënë se forcat e saja kanë zhvarrosur trupat që palestinezët i kishin varrosur më parë, si pjesë e kërkimit të ushtrisë izraelite për eshtrat e pengjeve të kapur nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit. Sipas ushtrisë izraelite trupat janë ekzaminuar dhe ata që nuk u përkisnin pengjeve izraelite janë kthyer në vendin e tyre.

Mbrojtja civile palestineze në Rripin e Gazës bëri të ditur të hënën se kishte zbuluar 283 trupa brenda spitalit kryesor në Khan Younis. Në kohën kur luftimet ishin intensive, njerëzit nuk ishin në gjendje t’i varrosnin të vdekurit në varreza dhe gërmuan varret në oborrin e spitalit, sipas mbrojtjes civile palestineze.

Mbrojtja civile ka njoftuar se disa nga trupat ishin të njerëzve të vrarë gjatë rrethimit të spitalit. Të tjerë u vranë kur forcat izraelite sulmuan spitalin.

Çështja se kush mund apo duhet të kryejë hetimet mbetet e paqartë.

Që Kombet e Bashkuara të kryejnë hetime, një nga organet e saj kryesore duhet ta autorizojë atë, është shprehur Dujarric.

“Unë mendoj se nuk duhet paragjykuar rezultatet ose se kush do ta bëjë këtë. Zbulimi i varrezave është një arsye tjetër pse ne kemi nevojë për armëpushim, pse ne duhet të shohim një fund të këtij konflikti, pse ne duhet të kemi qasje më të madhe për ndihmat humanitare, mbrojtje më të madhe për spitalet dhe lirimin e pengjeve izraelite”, ka thënë Dujarric.