Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, ka thënë se situata e sigurisë bërthamore në termocentralin Zaporizhzhia në Ukrainën e pushtuar nga Rusia është duke u përkeqësuar.
Deklarata e tij vjen pas një sulmi me dron pranë perimetrit të zonës, raporton BBC.
Grossi ka shtuar se ai mbetet "jashtëzakonisht i shqetësuar" teksa ka bërë thirrje për "përmbajtje maksimale nga të gjitha anët" për të mbrojtur termocentralin.
Agjencia ka bërë të ditur se goditja kishte ndodhur rreth 100 metra nga e vetmja linjë e mbetur e tensionit të lartë.
Termocentrali është kapur nga forcat ruse në fillim të luftës dhe është përballur me sulme të përsëritura për të cilat të dyja palët kanë fajësuar tjetrën.
Javën e kaluar, Kievi dhe Moska fajësuan njëra-tjetrën pasi shpërtheu një zjarr në një nga kullat ftohëse të termocentralit.
IAEA nuk bëri të ditur se kush e kreu sulmin e së shtunës, por ekipi i saj i vendosur në Zaporizhzhia ka thënë se dëmi dukej se ishte shkaktuar nga një dron që mbante një eksploziv.
Centrali nuk ka prodhuar energji për më shumë se dy vjet dhe të gjashtë reaktorët janë të mbyllur që nga prilli.
Rusia ka nisur një pushtim në shkallë të plotë të fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022 dhe ka bërë përparim të ngadaltë kohët e fundit në kapjen e më shumë territoreve në Ukrainën lindore.
Megjithatë, u trondit kur trupat ukrainase depërtuan në rajonin e saj Kursk, ku ata kanë konsoliduar pozicionet për gati dy javë. Mijëra rusë janë evakuuar nga zona.
Është hera e parë që trupat e huaja ndodhen në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore.