Paaftësia e OBSH-së për të përcaktuar saktë se ku dhe si ka nisur të shpërndahet virusi, pas ndërmarrjes së hulumtimeve të para në Wuhan këtë fillimvit, ka ndezur tensionet midis anëtarëve të saj, veçmas me Kinën, ku janë identifikuar rastet e para me COVID-19 më 2019, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar të premten se do ta krijojë një ekip të ri për gjurmimin e origjinës së koronavirusit, në përpjekjen për t’i dhënë fund asaj që e quajti “shënim të pikëve politike” që ka vështirësuar hulumtimet.
Paaftësia e OBSH-së për të përcaktuar saktë se ku dhe si ka nisur të shpërndahet virusi ka ndezur tensionet midis anëtarëve të saj, veçmas me Kinën, ku janë identifikuar rastet e para me COVID-19 në Wuhan më 2019, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
OBSH-ja u ka bërë thirrje të gjitha qeverive që të bashkëpunojnë në përshpejtimin e studimeve mbi origjinën e pandemisë COVID-19 dhe në “depolitizimin e situatës”.
Agjencia shëndetësore e OKB-së ka specifikuar se grupi i ri këshillues, i quajtur Grupi Ndërkombëtar i Këshilluesve Shkencorë për Origjinën e Patogjenëve të Rinj, do të mbështesë “ndërmarrjen e shpejtë” të studimeve të mëtutjeshme.
“Duhet të punojmë të gjithë së bashku. Ju, ne, të gjithë duam ta dimë origjinën e pandemisë më të rëndë të shekullit”, ka thënë zëdhënësja e OBSH-së, Fadela Chaib.
Washingtoni ka përshëndetur të premten planin e OBSH-së, duke e vënë në dukje “theksin në studimet e bazuara në shkencë dhe në përpjekjet e nxitura nga të dhënat për të gjetur origjinën e kësaj pandemie, në mënyrë që të mund të detektohen, parandalohen dhe t’u jepet përgjigje shpërthimeve të ardhshme të sëmundjeve”.
Presidenti Joe Biden, ka urdhëruar në fund të majit ndihmësit e tij që të gjejnë përgjigje mbi origjinën e COVID-19 dhe që t’i raportojnë pas 90 ditësh.
Në raportin e fundit, të përpiluar bashkë me shkencëtarët kinezë, ekipi i OBSH-së që i kaloi katër javë në dhe përreth qytetit të Wuhanit në janar dhe shkurt ka bërë të ditur se virusi me gjasë është bartur nga lakuriqët e natës te njerëzit nëpërmjet një kafshe tjetër. Ka specifikuar se rrjedhja e virusit nga një laborator ishte shkaktar “jashtëzakonisht i pamundur”.
Megjithëkëtë, në një dokumentar të transmetuar të enjten në Danimarkë, udhëheqësi danez i misionit të OBSH-së, Peter Ben Embark, ka theksuar se hipoteza e laboratorit meriton që të studiohet më tutje.
Një zyrtar i OBSH-së ka thënë se avancimi i studimit mbi origjinën e virusit nuk është i ndërlidhur me këto vlerësime, duke shtuar se intervista e Ben Embarkut ishte filmuar muaj më parë.
Kina ka bërë të ditur se kurrë nuk e ka refuzuar bashkëpunimin mbi gjurmimin e origjinës së COVID-19, ka cituar një medie shtetërore deklarimin e zëvendësministrit të Jashtëm të vendit.