Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar për disa sulme në qendrat e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, duke shkaktuar shumë vdekje e lëndime.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shkruar të dielën në Twitter se janë duke u hetuar edhe raporte tjera.
“Sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe po ashtu ndaj punonjësve shëndetësorë janë shkelje e ligjeve ndërkombëtare humanitare”, tha Ghebreyesus.
Deri më tash, OBSH ka raportuar për gjashtë qendra mjekësore të sulmuara nga forcat ruse. Këtë e ka konfirmuar për BBC-në kreu i zyrës së OBSH-së në Ukrainë, Jarno Habicht.
“Këto janë spitale apo disa prej tyre ambulanca”, tha Habricht, duke shtuar se po sulmohen edhe mjekët që janë në vijën e frontit për të ndihmuar të plagosurit.
Ai ka shtuar se punonjësit shëndetësorë po e kanë të vështirë t’i dalin në ndihmë qytetarëve për shkak të sulmeve të vazhdueshme. Ai e ka përshkruar situatën shumë të rëndë, pasi ka thënë se shëndetësia është përballur me shumë sfida gjatë pandemisë COVID-19.