Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është “shumë e shqetësuar” për mundësinë e shpërthimit të virusit polio në Gaza, pasi janë gjetur gjurmë në ujërat e zeza.
Dr. Ayadil Saparbekov, kreu i ekipit të OBSH-së në territoret palestineze, u ka thënë gazetarëve se po zbatohej një vlerësim i rrezikut, dhe se ndërkohë punonjësit shëndetësorë në Gaza po jepnin këshilla mbrojtëse për popullsinë 2.3 milionëshe, raporton BBC.
Ai ka shtuar se megjithatë do të ishte “shumë e vështirë” për njerëzit që t’i ndjekin ato, për shkak të mungesës së shpeshtë të ujit dhe shërbimeve sanitare.
Gjurmët e polios, e cila shpërndahet përmes materies fekale, janë gjetur në mostrat e ujërave të zeza të mbledhura nga dy zona të ndryshme në Gaza një muaj më parë, gjë që tregon se virusi mund të qarkullojë.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur të shtunën se ka nisur t’i vaksinojë ushtarët.
OBSH-ja dhe Agjencia e OKB-së për fëmijë (Unicef) besojnë se mund të jetë i nevojshëm një vaksinim masiv në Gaza.
Sidoqoftë, vonesat e përsëritura për arritjen e punonjësve të ndihmave dhe furnizimeve humanitare që hyjnë në Gaza, nënkuptojnë se një fushatë efektive në këtë drejtim do të ishte mjaft sfiduese.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se është duke punuar me një numër organizatash për të dërguar vaksina për palestinezët në Gaza. Rreth 300,000 vaksina janë dërguar atje që kur ka nisur lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, në tetor, sipas ushtrisë.
Polio shkaktohet nga një virus i cili shpërndahet lehtësisht përmes kontaktit me ndonjë person të infektuar, apo në raste më të rralla edhe përmes spërklave që shkaktohen nga kollitja ose teshtitja. Polio mund të shkaktojë paraliza, dhe në raste ekstreme edhe vdekje.
OBSH-ja ka thënë se nivelet e imunizimit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor ishin optimale përpara konfliktit.