Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të emërojë James O’Brien si ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
O’Brien ndër shumë të tjera, ka shërbyer edhe si i dërguar presidencial për Ballkanin.
Ai ka shërbyer në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial, si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright, zëvendësdrejtor i Planifikimit të Politikave.
O’Brien njihet si këshilltar për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës, dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës. Si i dërguari i parë presidencial për çështjet e pengjeve nga viti 2015 deri në vitin 2017, ai ndihmoi në krijimin e zyrës dhe punoi për kthimin e sigurt të 100 qytetarëve amerikanë, thuhet në komunikatën e DASH-it.
James C. O'Brien aktualisht shërben si Shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador, në Departamentin e Shtetit, post që e ka mbajtur që nga viti 2022.
Deri në mars, pozitën e zëvendëssekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike e ka mbajtur Karen Donfried.