Kultivimi i kafesë nuk është gjithmonë i lehtë. Fermerët duhet të përballen me zjarret që përhapen shpejt në sezonin e thatë dhe që shkatërrojnë të korrat e tyre. Gjuetarët përdorin zjarret për të trembur dhe vrarë kafshët dhe banorët e përdorin atë për të pastruar tokën për kultivim. Por zjarret mund të dalin jashtë kontrollit dhe ka pak masa për t'i mbajtur njerëzit përgjegjës, thonë banorët e qarkut Nzara, në Sudanin e Jugut
Gishtat e Catherine Bashiamas përshkojnë degët e pemës së kafesë që dikur ishte vetëm një fidan i vogël. Me frikë, kërkonte për sythat e parë frutore pas tre vjetësh që kur e mbolli. Fytyra e saj rrezatoi kur ndjeu se po krijohen frute.
Fermerja nuk kishte kultivuar kurrë kafe në fshatin e saj në perëndim të Sudanit Jugor, por tani shpreson që një lloj i rrallë, rezistent ndaj nxehtësisë, do ta ndihmojë në largimin e familjes së saj nga varfëria. “Dua t’i dërgoj fëmijët e mi në shkollë që ata të mund të jenë brezi i ardhshëm”, thotë Bashiama, nënë e 12 fëmijëve.
E zbuluar më shumë se një shekull më parë në Sudanin e Jugut, kafeja “excelsa” po i gëzon vendasit dhe po tërheq interes nga komuniteti ndërkombëtar mes një krize globale të kultivimit të kafesë të shkaktuar kryesisht nga ndryshimet klimatike.
Teksa vendet kryesore prodhuese të kafesë luftojnë për t’i vazhduar të korrat në mot më të thatë, çmimet janë rritur në nivelin më të lartë në dekada dhe industria po përpiqet të gjejë zgjidhje.
Ekspertët thonë se vlerësimet nga Brazili i goditur nga thatësira, prodhuesi më i madh i kafesë në botë, janë se të korrat e këtij viti mund të ulen me rreth 12%.
“Ajo që na tregon historia është se ndonjëherë bota nuk iu jep një zgjedhje dhe tani ka shumë fermerë kafeje që ndikohen nga ndryshimet klimatike me të cilat po përballen në këtë gjendje të vështirë”, thekson Aaron Davis, nga Kopshti Botanik Mbretëror, Kew, në Londër. Davis dhe ekipi i tij kanë hulumtuar kafenë “excelsa” për gati një dekadë dhe punojnë me prodhues të “excelsas” në disa qarqe, veçanërisht në Ugandë.
“Excelsa” mund të luajë rol kyç në përshtatje.
Me origjinë nga Sudani i Jugut dhe një pjesë e vogël e vendeve të tjera afrikane, duke përfshirë Kongon, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Ugandën, “excelsa” kultivohet gjithashtu në Indi, Indonezi dhe Vietnam. Rrënjët e thella të pemës, gjethet e trasha dhe trungu i madh e lejojnë atë të lulëzojë në kushte ekstreme si thatësira dhe nxehtësia ku llojet e tjera të kafesë nuk munden. Është gjithashtu rezistente ndaj shumë dëmtuesve dhe sëmundjeve të zakonshme të kafesë.
Megjithatë, ajo përbën më pak se 1% të tregut global, shumë prapa llojeve “arabica” dhe “robusta” që janë kafetë më të konsumuara në botë. Ekspertët thonë se “excelsa” do të duhet të tregohet praktike në një shkallë shumë më të madhe për të kapërcyer hendekun në treg të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Për momentin, është kryesisht e disponueshme vetëm për blerje në internet.
Historia e kafesë në Sudanin e Jugut
Ndryshe nga Etiopia ose Uganda fqinje, Sudani i Jugut i pasur me naftë nuk është njohur kurrë si një komb që prodhon kafe.
Kolonizuesit e saj britanikë kultivuan “robusta” dhe “arabica”, por shumica e tyre u ndalën gjatë dekadave të konfliktit që i detyroi njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe e bënë të vështirë kultivimin. Pemët e kafesë kërkojnë kujdes të rregullt si krasitja dhe duhen të paktën tre vjet për të dhënë fruta.
Gjatë një vizite në fillim të këtij muaji në qarkun Nzara në shtetin e Ekuatorias Perëndimore, i njohur si hambari i vendit – banorët me nostalgji u treguan gazetarëve të Associated Press për prindërit dhe gjyshërit e tyre që kishin kultivuar kafe, megjithëse shumë nga brezi i ri nuk e kishin bërë vetë.
Shumë prej tyre e njihnin “excelsan”, por nuk e kuptuan se sa unike ishte, ose si quhej, duke iu referuar si pema e madhe, zakonisht më e gjatë se llojet “arabica” dhe “robusta” që zakonisht krasiten për t'u kthyer në shkurre ose gardh. Pemët “excelsa” mund të arrijnë 15 metra lartësi, por gjithashtu mund të krasiten shumë më shkurt për lehtësinë e korrjes.

Kafeja e bërë nga “excelsa” ka shije të ëmbël – ndryshe nga “robusta” – me nota çokollate, fruta të errëta dhe lajthi. Është më e ngjashme me “arabican”, por në përgjithësi më pak e hidhur.
“Ka kaq pak njohuri për këtë kafe, saqë ndihemi në ballë të një përpjekje për ta zbuluar atë dhe po e mësojmë çdo ditë”, thotë Ian Paterson, drejtor menaxhues i “Equatoria Teak”, një kompani e qëndrueshme agro-pyjore që operon në vend për më shumë se një dekadë.
Kompania ka vite që po bën prova në “excelsa”. Rezultatet fillestare janë premtuese, me pemët në gjendje të përballojnë nxehtësinë shumë më mirë se llojet e tjera, njoftoi kompania. Gjithashtu po punon me komunitetet për të ringjallur industrinë e kafesë dhe për të rritur prodhimin. Tre vjet më parë ajo dha fidanë dhe trajnim për rreth 1500 fermerë, përfshirë Bashiaman, për t’i ndihmuar ata të kultivonin kafenë. Fermerët mund t’ia shesin sërish kafenë kompanisë për përpunim dhe eksport.
Shumë prej pemëve filluan të jepnin prodhim për herë të parë këtë vit dhe Paterson thekson se shpreson të eksportojë grupin e parë prej rreth 7 tonësh në dyqane të specializuara në Evropë. Deri në vitin 2027, ajo mund të sjellë rreth 2 milionë dollarë në ekonomi, me blerës të mëdhenj si “Nespresso” që shprehin interes. Por prodhimi duhet të trefishohet që të jetë i vlefshëm që blerësit e mëdhenj të investojnë, thotë ai.
Sfidat e rritjes së një industrie në Sudan të Jugut
Kjo mund të jetë sfiduese në Sudanin e Jugut, ku mungesa e infrastrukturës dhe pasiguria e bëjnë të vështirë nxjerrjen e kafesë.
Një kamion me 30 tonë kafe duhet të përshkojë rreth 3000 kilometra për të arritur në portin në Kenia për t’u transportuar. Kostoja për pjesën e parë të atij udhëtimi, përmes Ugandës, është më shumë se 7.500 dollarë, që është deri në pesë herë më shumë se kostoja në vendet fqinje.
Është gjithashtu e vështirë për të tërhequr investitorë.
Tensionet në Ekuatorian Perëndimore janë veçanërisht të larta pasi presidenti hoqi guvernatorin në shkurt, duke shkaktuar zemërim në mesin e mbështetësve të tij. Kur reporterët e AP-së vizituan Nzara-n, rruga kryesore për në qytet u ndërpre një ditë për shkak të të shtënave me armë dhe njerëzit po largoheshin nga fshatrat e tyre, nga frika e dhunës së mëtejshme.
Qeveria thotë se kompanitë mund të operojnë të sigurta, por i paralajmëroi që të fokusohen në biznes.
“Nëse jam biznesmen, që merrem me biznesin tim, të mos përzihem me politikën. Sapo të filloni të përzieni biznesin tuaj me politikën, patjetër që do të përfundoni në kaos”, thotë Alison Barnaba, ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Mjedisit e shtetit.
Barnaba thekson se ka plane për të rehabilituar plantacionet e vjetra të kafesë dhe për të ndërtuar një shkollë bujqësore, por detajet janë të pakta, duke përfshirë edhe nga do të vijnë paratë. Sudani i Jugut nuk i ka paguar nëpunësit e tij civilë për më shumë se një vit, dhe një këputje e një tubacioni të rëndësishëm të naftës përmes Sudanit fqinj ka dëmtuar të ardhurat nga nafta.
Kultivimi i kafesë nuk është gjithmonë i lehtë. Fermerët duhet të përballen me zjarret që përhapen shpejt në sezonin e thatë dhe që shkatërrojnë të korrat e tyre. Gjuetarët përdorin zjarret për të trembur dhe vrarë kafshët dhe banorët e përdorin atë për të pastruar tokën për kultivim. Por zjarret mund të dalin jashtë kontrollit dhe ka pak masa për t'i mbajtur njerëzit përgjegjës, thonë banorët.
Kafeja, mënyrë për t’u larguar nga varfëria
Megjithatë, për vendasit, kafeja përfaqëson një shans për një të ardhme më të mirë.
Bashiama thotë se ajo filloi të mbillte kafe pasi burri i saj u lëndua dhe nuk ishte në gjendje të ndihmonte në kultivimin e mjaftueshëm të misrit dhe arrave me të cilat kishte jetuar familja. Që nga aksidenti i tij, ajo thotë se nuk ka qenë në gjendje t'i dërgojë fëmijët e saj në shkollë ose të blejë ushqim të mjaftueshëm.
Një fermer tjetër, 37-vjeçari Taban John, dëshiron të përdorë fitimet e tij nga kafeja për të blerë një biçikletë, në mënyrë që të mund të shesë më lehtë të korrat e tjera, arrat e bluara dhe kassava, si dhe mallra të tjera në qytet. Ai gjithashtu dëshiron të jetë në gjendje të përballojë blerjen e uniformave të shkollës për fëmijët e tij.
“Excelsa” është një mundësi që komuniteti të bëhet më i pavarur financiarisht, thonë drejtuesit e komunitetit. Njerëzit mbështeten te qeveria ose ndihma e huaj, por kur kjo nuk arrihet, ata nuk janë në gjendje të kujdesen për familjet e tyre, thonë ata.
Por që kafeja të lulëzojë në Sudanin e Jugut, vendasit thonë se duhet të ketë vullnet se kultivimi kërkon stabilitet.
Elia Box humbi gjysmën e prodhimit të kafesë nga zjarri në fillim të shkurtit. Ai planifikon ta zëvendësojë atë, por ishte i dëshpëruar për punën që do të kërkonte dhe mungesën e ligjit dhe rendit për t'i mbajtur njerëzit përgjegjës.
“Njerëzit nuk po mendojnë për më larg”, tha ai. “Kafja ka nevojë për paqe”.