Moti shumë i nxehtë ka bërë që 33 milionë fëmijë në Bangladesh të mos mund të ndjekin shkollën, pasi temperaturat në disa pjesë të shtetit kanë shkuar në mbi 42 gradë Celsius.
Shkollat dhe kolegjet do të jenë të mbyllura për të paktën deri më 27 prill. Ky është viti i dytë me radhë që autoritetet marrim një vendim të tillë, për shkak të motit ekstrem, raporton BBC.
Vendimi vjen pas mbylljes së shkollave në Filipine dhe Indi, pasi një nxehtësi e madhe është shpërndarë nëpër kontinentin aziatik.
“Fëmijët në Bangladesh janë në mesin e më të varfërve të botës, dhe mbyllja e shkollave si pasojë e nxehtësisë së madhe duhet të jetë një zile alarmi për të gjithë ne”, ka thënë Shumon Sengupta, drejtor i “Save the Children” në Bangladesh.
Bangladeshi i ulët është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndikimeve të krizës klimatike.
Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, një rritje prej 30 deri në 45 cm e nivelit të detit mund të zhvendosë më shumë se 35 milionë njerëz nga rrethet bregdetare, që është rreth një e katërta e popullsisë totale të vendit.
Të mërkurën, mijëra myslimanë të vendit vërshuan xhamitë dhe fushat rurale për të bërë lutje për shi.
Autoritetet e motit të Bangladeshit presin që nxehtësia ekstreme të vazhdojë për të paktën edhe një javë tjetër.