Një studim i ri i cili është bërë në Indi ka treguar se puna në nxehtësi ekstreme mund të dyfishojë rrezikun për abort. Shkaqet rreth, si dhe pse nxehtësia ndikon në gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre në këtë mënyrë nuk dihen mirëfilli, por këshillohet që ato të kenë kujdes. Studimi ka gjetur se rreziqet për nënat e ardhshme që punojnë në të nxehtë janë më të mëdha sesa që është menduar më herët
Puna në nxehtësi ekstreme mund të dyfishojë rrezikun që gratë shtatzëna ta lindin foshnjën të vdekur ose të abortojnë, sipas studimeve të reja në Indi.
Studimi ka gjetur se rreziqet për nënat e ardhshme janë më të mëdha sesa që është menduar më herët.
Studiuesit thonë se verat e nxehta nuk prekin vetëm gratë që jetojnë në vende me klimë tropikale, por gjithashtu edhe në vendet si Mbretëria e Bashkuar.
Ata kanë dhënë këshilla specifike të shëndetit për gratë shtatzëna që punojnë në tërë globin.
Tetëqind gra shtatzëna në shtetin e Indisë Jugore, Tamil Nadu, kanë marrë pjesë në një studim, i cili ka nisur në vitin 2017 nga Fakulteti i Shëndetit Publik në “Sri Ramachandra Institute of Higher Education and Research” (SRIHER) në Chennai.
Rreth gjysma e grave që kanë marrë pjesë në studim kanë punuar në vende ku kanë qenë të ekspozuara ndaj niveleve të larta të nxehtësisë, si në agrikulturë, furra tullash ose fusha të kripës. Të tjerat kanë punuar në mjedise më të freskëta, si në shkolla dhe spitale, megjithëse disa punonjëse ishin gjithashtu të ekspozuara ndaj niveleve të larta të nxehtësisë edhe në këto vende të punës.
Nuk ka prag universal se cili nivel i nxehtësisë mund të konsiderohet shumë i nxehtë për trupin e njeriut.
“Ndikimi i nxehtësisë është relativ, në çka jeni mësuar dhe me çka është mësuar trupi juaj”, thotë Jane Hirst, një nga shkencëtaret që ka kontribuar në këtë studim.
Në fushat e gjelbra ndodhet Sumathy, një nga gratë shtatzëna që ka marrë pjesë në studim.
Ajo heq dorëzat e trasha dhe zgjat gishtat e saj. Ajo ka mbledhur kastravecë në dy orët e fundit.
“Duart e mia digjen në këtë nxehtësi”, thotë ajo, teksa prek majat e gishtërinjve.
Vera nuk ka nisur akoma, por temperaturat janë gati 30 gradë dhe duket më nxehtë për shkak të lagështisë së ajrit.
“Jam ndier shumë e lodhur nga shtatzënia dhe puna në këtë nxehtësi”
Sumathy duhet të kujdeset për gishtat e saj nga therjet e vazhdueshme të gjembave të vogla të kastravecëve, por dorëzat ia djersinë shumë duart.
“Fytyra ime digjet gjithashtu”, thotë ajo.
Ajo vjen në fermën e kastravecëve para dhe pas punës së saj kryesore, kuzhiniere në një shkollë, dhe paguhet gati 200 rupi ose pak më shumë se 2 euro për punën që e bën këtu brenda ditës.
Sumathy ka qenë një nga rekrutet e para. Foshnja e saj ka qenë gjithashtu ndër të parat që ka vdekur.
“Jam ndier shumë e lodhur nga shtatzënia dhe puna në këtë nxehtësi”, thotë ajo.
Një ditë, teksa Sumathy ka qenë duke ia dërguar burrit drekën, ajo papritmas ka filluar të ndihet shumë keq. Atë mbrëmje, ajo ka shkuar të konsultohej me një doktor, i cili i ka treguar se ajo ka abortuar. Kishte 12 javë shtatzëni.
“Burri im më shtrinte në prehrin e tij dhe më ngushëllonte. Unë nuk e di se çfarë do të kisha bërë pa të”, thotë ajo.
Sumathy flet për burrin e saj me aq shumë dashuri, por asaj i është dashur të mësohet të jetojë pa të. Ai ka vdekur së fundmi dhe tani ajo është mbajtësja kryesore e familjes.
Sumathy nuk do ta dijë kurrë me siguri nëse puna në nxehtësi gjatë shtatzënisë ka pasur të bënte me humbjen e fëmijës së saj të parë.
Por në përgjithësi, studimi ka gjetur se gratë që punojnë në kushte të ngjashme si të saj, kishin dy herë më shumë gjasa të pësonin lindje të foshnjës së vdekur ose abort sesa ato që punojnë në mjedise më të freskëta.
E rëndësishme për gratë në tërë botën
“Gratë shtatzëna në këtë studim në Indi janë në ballë të përjetimit të ndryshimeve klimatike”, thotë Hirsti, obstetre konsulente me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe profesoreshë e Shëndetit Global të Grave në organizatën e kërkimeve mjekësore “The George Institute”.
Temperatura mesatare e Tokës është projektuar të rritet për gati tri gradë deri në fund të shekullit, në krahasim me kohët paraindustriale, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke paralajmëruar “kërcënim ekzistencial për të gjithë”, me gratë shtatzëna që do të përballen me “disa nga pasojat më të rënda”.
Studimet e kaluara kanë treguar gati 15% rritje të rrezikut për lindje të parakohshme dhe lindje të foshnjave të vdekura gjatë valëve të nxehtësisë, por këto janë realizuar kryesisht në vendet me të ardhura të larta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia.
Gjetjet e fundit në Indi janë veçanërisht të zymta dhe shqetësuese, thotë Hirsti dhe sipas saj ato kanë implikime më të gjera.
“Mbretëria e Bashkuar është duke pasur vera më të nxehta, dhe edhe pse nuk është aq nxehtë sa në Indi, këto efekte anësore në shtatzëni mund të shihen edhe në temperatura më të ulëta dhe të buta, siç janë temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar”, shton ajo.
Për momentin nuk ka sugjerim zyrtar kombëtar për shtatzënat që punojnë në nxehtësi.
Hirsti shpreson se ky studim, dhe hulumtimet e mëtutjeshme, do ta ndryshojnë këtë. Në ndërkohë Hirsti dhe Vidhya Venugopali, nga Fakulteti i Shëndetit Publik në SRIHER, që ka udhëhequr studimin në Indi, thonë se gratë shtatzëna që punojnë në nxehtësi mund të ruajnë veten duke shmangur periudhat e gjata në nxehtësi, marrë pauza të rregullta nën hije nëse punojnë jashtë në ditët e nxehta, shmangur marrjen e rrezeve për periudhë të gjatë në kohën më të nxehtë të ditës dhe duke qëndruar të hidratuara.
Për studimin në Indi, studiuesit kanë përdorur të ashtuquajturën llambë të matjes së lagështisë dhe temperaturës (WBGT), e cila mat efektet e temperaturës, lagështinë, shpejtësinë e erës dhe nxehtësinë rrezatuese në trupat e njeriut.
Leximet e WBGT-it janë shpesh më të ulëta se temperaturat që shohim të parashikuara në televizor ose në aplikacionet e motit.
Pragu i sigurt i nxehtësisë për njerëzit që kryejnë punë të rënda sipas matësit WBGT është 27.5 gradë celsius, sipas Administratës Amerikane të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
“S’ka zgjidhje tjetër përpos punës nën diell”
India është parashikuar të bëhet një nga vendet e para në botë ku temperaturat do të kalojnë kufirin e sigurt edhe për njerëzit që thjesht pushojnë nën hije, sipas një studimi të vonshëm të Universitetit të Cambridget.
Numri i ditëve dhe netëve të nxehta është projektuar gjithashtu të dyfishohet ose madje të katërfishohet në Indi deri në vitin 2050.
Në fushat e kallameve të sheqerit në Tiruvannamalai, Rekha Shanmugam, një ish-infermiere dhe një nga studiueset që ka marrë pjesë në studimin e SRIHER, është duke matur nxehtësinë e ditës.

Rreth saj, dhjetëra punëtorë – gati gjysma e tyre gra – presin kallamet e sheqerit me hanxharë të vegjël.
“Këto gra shpesh nuk kanë zgjidhje tjetër, pos të punojnë nën diell – ato kanë nevojë për para”, thotë Shanmugami.
Ajo hedh ujë në matësin e saj dhe ai tregon temperaturën WBGT në vlerë prej 29.5 gradë celsius – që është mbi pragun e sigurisë për kryerjen e punëve të tilla në nxehtësi.
“Nëse punonjësit vazhdojnë punën për periudha të gjata në këtë nivel të nxehtësisë, ata janë të prirë për sëmundje të lidhura me nxehtësinë dhe është veçanërisht shqetësuese për gratë shtatzëna”, thotë Shanmugam.
Sandhiya, 28-vjeçare, tregon se nuk ka zgjidhje tjetër, përveç kryerjes së punës së tillë, për të cilën ajo paguhet 600 rupi, gati 7 euro në ditë.
Ajo ka dy fëmijë të vegjël dhe familje të gjerë për të ushqyer. Sandhiya ka qenë gjithashtu pjesë e studimit – dhe ka humbur fëmijën e parë në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
Asaj i është dashur të marrë disa muaj pushim për t’u shëruar dhe thotë se është duke larë akoma borxhin e mbledhur gjatë asaj kohe.
“Të gjitha dëshirat e mira sillen rreth fëmijëve të mi”, thotë Sandhiya. “Unë dua që ata të mësojnë mirë dhe të gjejnë punë të mirë. Nuk duhet të përfundojnë duke kryer punë fushe si unë”.
Problemi i urinimit
Shkaqet rreth, si dhe pse nxehtësia ndikon në gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre në këtë mënyrë nuk dihen mirëfilli.
Një studim i mëhershëm në Gambi ka gjetur se temperaturat e larta mund të rrisin rrahjet e zemrës së fetusit dhe të ngadalësojnë rrjedhjen e gjakut nëpër kordonin e kërthizës.
Një teori është se kur turpi i nënës nxehet shumë, gjaku mund të shkojë te fetusi për të ndihmuar në ftohjen e trupit të nënës.
Shanmugami mendon se mungesa e tualeteve mund të luajë rol gjithashtu. Ajo thotë se studimet e mëhershme kanë gjetur se shumë gra nuk kanë dashur të ulen poshtë për të urinuar dhe kështu do të shmangnin pirjen e ujit, duke i shkaktuar vetes probleme urinare.
“Ato shqetësoheshin për insektet dhe gjarpërinjtë në shkurre, ose burra që mund t’i përgjonin”, thotë ajo. “Ato shpesh nuk ndihen të sigurta, kështu që e mbajnë urinën tërë ditën dhe pastaj shkojnë në tualet kur arrijnë në shtëpi”.
Gjetja e zgjidhjes
Viteve të fundit India ka bërë përmirësime të mëdha rreth shëndetit të nënave dhe foshnjave, por shkalla e lindjeve të foshnjave të vdekura është akoma 12.2 për 1.000 lindje, sipas të dhënave nga Grupi i Bankës Botërore, institucion ndërkombëtar financiar që ofron kredi dhe grante për qeveritë e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në Mbretërinë e Bashkuar shkalla është 2.7.
Gjetjet nga studimi në Tamil Nadu janë duke u marrë shumë seriozisht, thotë TS Selbavinayagam, drejtor i shëndetësisë publike në Indi.
“Ne ofrojmë kompensim financiar për gratë shtatzëna, por ndoshta duhet të shikojmë gjithashtu për dhënie të opsioneve alternative të punësimit”, thotë ai.
Qeveria e shtetit u ofron grave nga shtresat e varfra 18,000 rupi (198 euro) kur arrijnë në javën e 12-të të shtatzënisë për të ndihmuar në lirimin e disa prej presioneve të tyre financiare.
Gjithsesi, fuqia për mbrojtjen e këtyre punonjëseve me pagë të ulët është në duart e shefave të tyre në vendet e punës.
Në periferi të Chennait, Thillai Bhaskeri – pronari i një furre tullash – ka ngritur çati gjigante të hekurit me shtresa speciale me mbrojtje nga nxehtësia, për t’u siguruar hije të nevojshme punonjësve të tij. Ai ka qenë duke marrë këshilla për mbrojtjen sa më të mirë të punonjësve nga studiuesit e SRIHER-it.
“Pronarët e bizneseve duhet të jenë mjaftueshëm të zgjuar për të ditur se si t’i ruajnë punonjësit e tyre”, thotë ai. “Nëse kujdesesh për ta, ata do të kujdesen për ty”.
Ai gjithashtu thotë se është duke planifikuar ndërtimin e tualeteve vetëm për gra.
Disa organizata janë duke ofruar gjithashtu disa sesione edukative për hapat e thjeshtë që gratë mund të ndërmarrin për t’u mbrojtur më mirë nga nxehtësia. Shishet e izoluara për të mbajtur të ftohtë ujin janë duke u bërë të disponueshme.
Sumathy nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse të vazhdonte punën në nxehtësi ekstreme, kur mbeti shtatzënë përsëri disa vjet pas abortit.
Por ajo ka marrë sugjerim specifik nga mjekët dhe studiuesit e SRIHER-it për të mbrojtur veten më mirë. Sumathy ka lindur një vajzë dhe djalë të shëndetshëm.
Sonte – pas orarit të gjatë në punë – ajo do të kthehet tek ata. E lodhur dhe me ankth, por mirënjohëse që ata janë aty.
Përgatiti: Latra Gashi