Botë

Numri i njerëzve të zhvendosur nga dhuna shënon rekord të ri botëror

Ikja nga dhuna

Ikja nga dhuna

Foto: Associated Press

Një rekord prej 120 milionë njerëzish janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës, dhunës dhe persekutimit në vitin 2023.

Kjo shënon vitin e 12 me radhë që numri i të zhvendosurve rritet, ka bërë të ditur agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, raporton BBC.

Numri i të zhvendosurve është tani i barabartë me numrin e banorëve të Japonisë, sipas OKB-së.
Konfliktet e reja në Sudan dhe në Gaza kanë kontribuuar në rritjen, të cilën, shefi i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi i ka quajtur “një shenjë e tmerrshme për gjendjen e botës”.

Ai u bëri thirrje qeverive që të trajtojnë shkaqet rrënjësore të problemit, në vend që të politizojnë refugjatët dhe të kthehen në zgjidhje të shpejta si mbyllja e kufijve, për të cilat ai i ka thënë BBC-së nuk do ta zgjidhte problemin.

Në vend të kësaj, ai u kërkoi vendeve të punojnë së bashku për zgjidhje më të qëndrueshme.

Sipas raportit vjetor të agjencisë mbi këtë temë, krizat e reja dhe të vjetra rritën numrin e refugjatëve në nivel global që nga prilli i vitit 2024.

Në Sudan, lufta që filloi midis gjeneralëve rivalë në prill 2023, dëboi më shumë se nëntë milionë njerëz nga shtëpitë e tyre.

Në Gaza, lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka zhvendosur rreth 75% të popullsisë, apo 1.7 milion njerëz, që nga tetori.

Kriza më e madhe e shpërnguljeve në botë mbetet në Siri, ku një konflikt që filloi në vitin 2011 mban rreth 14 milionë njerëz larg shtëpive të tyre.

Miliona njerëz të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Republikën Demokratike të Kongos dhe Birmani për shkak të luftimeve vitin e kaluar.

Agjencia e OKB-së për refugjatët e ka mohuar se të gjithë refugjatët dhe migrantët e tjerë shkuan në vendet e pasura, duke theksuar se shumica dërrmuese e refugjatëve ishin në vendet fqinje dhe me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Numri i njerëzve të zhvendosur globalisht është trefishuar që nga viti 2012 dhe ka të ngjarë të rritet, ka shtuar Grandi.