Botë

Nuk ka shkuar ende: Merkeli do të qëndrojë si ushtruese aktive detyre

Mundësia për bisedime të zgjatura të koalicionit pas zgjedhjeve nënkupton se Merkeli nuk do të largohet nga detyra së shpejti dhe se ajo synon plotësisht që ta shfrytëzojë kohën e paszgjedhjeve për të insistuar në nismat e politikës së jashtme, kanë thënë për agjencinë Reuters zyrtarë të lartë të Qeverisë

Pas 16 vjetësh në pushtet, kancelarja Angela Merkel nuk po e kërkon rizgjedhjen në zgjedhjet e 26 shtatorit në Gjermani, mirëpo ajo as përafërsisht nuk do të mbetet anash.

Mundësia për bisedime të zgjatura të koalicionit pas zgjedhjeve nënkuptojnë se Merkeli nuk do të largohet nga detyra së shpejti dhe se ajo synon plotësisht që ta shfrytëzojë kohën e paszgjedhjeve për të insistuar në nismat e politikës së jashtme, kanë thënë për agjencinë Reuters zyrtarë të lartë të Qeverisë.

Sipas Kushtetutës gjermane, Merkeli do të mbetet kancelare derisa shumica e ligjvënësve në Bundestag ta zgjedhë një pasues, i cili më pas do ta japë betimin. Reuters analizon se nuk ekzistojnë kufizime zyrtare për kohëzgjatjen e pushtetit të saj, megjithëse Merkeli është e njohur për aftësinë e saj të arritjes së konsensusit derisa kancelarët e mëhershëm nuk kanë marrë vendime radikale.

“Asaj do t’i duhet që ta luajë një rol të rëndësishëm, ngase çdokush në Berlin do të përfshihet në bisedimet e koalicionit”, ka thënë një zyrtar i lartë i konservatorëve në Berlin, duke folur për agjencinë.

Armin Laschet, pasuesi i mundshëm konservator i Merkelit, dhe njëri prej shefave të të Gjelbërve, Robert Habeck, presin që negociatat e koalicionit të vazhdojnë gjatë gjithë pjesës së mbetur të vitit, ka shkruar Reuters, duke kujtuar se pas votimeve të 24 shtatorit 2017, procesi ka zgjatur deri në marsin e vitit pasues.

“Vota gjysmake nënkupton se formimi i koalicionit kësaj radhe do të jetë më i ndërlikuar, që do të linte të kuptohej se Merkeli mund lehtësisht ta tejkalojë mentorin e saj të dikurshëm, Helmut Kohl”, ka shkruar agjencia e lajmeve.

Një skenar i tillë, sipas analizës së Reutersit, do t’ia ofronte Merkelit shansin për ta ndërmjetësuar një raund të ri të bisedimeve të të ashtuquajtur “format i Normandisë” me Rusinë, Ukrainën dhe Francën, në përpjekje për ta qetësuar konfliktin në Ukrainën Lindore – negociata këto që ajo i kishte anashkaluar gjatë udhëtimit të saj në Kiev muajin e shkuar.

Porse, sipas Reutersit, një person në veçanti ndien nervozizëm për rolin e saj të ardhshëm: presidenti francez, Emmanuel Macron.

Diplomatët francezë thonë se janë të shqetësuar se bisedimet e koalicionit mund të zvarriten deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, kur Macronit do t’i nevojitet një partner i fuqishëm gjerman si për ta avancuar agjendën e tij evropiane gjatë presidencës rotative të BE-së ashtu edhe kur ai të ballafaqohet me zgjedhjet presidenciale në vend.

“Në këtë rast, do të bëhej edhe më mirë për Macronin po qe se Merkeli mbetet në detyrë deri në zgjedhjet presidenciale të prillit të 2022-s”, ka thënë Claire Demesmay, eksperte franceze në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë “DGaP”.

Një diplomat i Bashkimit Evropian, i cili për Reutersin është deklaruar nën kushtin e anonimitetit, ka thënë se blloku mund ta shfrytëzojë praninë e Merkelit gjatë bisedimeve jetike për klimën.

“Pyetja që shtrohet është: pa Merkelin në dhomë, a do të mund t’i zgjidhim çështjet (negociatat rreth politikave të klimës)? Mendoj se mundemi... por pa dyshim se do ta kemi më vështirë”, ka shtuar diplomati.