Zhenhao Zou është shpallur fajtor për drogimin dhe përdhunimin e 10 grave në dy kontinente. Pas kësaj 23 gra të tjera janë paraqitur në polici me akuza ndaj Zout. Lartësia e dënimit ndaj tij pritet të shpallet në qershor, por një gjyq i dytë për përdhunuesin e dënuar nuk është përjashtuar
Njëzet e tri gra të tjera janë paraqitur në polici me akuza kundër përdhunuesit serik, Zhenhao Zou - një student doktorat i shpallur fajtor në Londër muajin e kaluar për drogimin dhe përdhunimin e 10 grave në dy kontinente.
Policia ka njoftuar në përfundim të gjyqit të tij se kishte prova video, të filmuara nga vetë Zou, për 50 viktima të tjera potenciale - dhe ata janë përpjekur të gjurmojnë për këto gra. Megjithatë detektivët tani thonë se ata besojnë që grupi i viktimave të Zout është shumë më i madh.
Dy gra që kanë kontaktuar policinë gjatë muajit të kaluar me akuza të reja ndaj tij, kanë folur gjithashtu për Shërbimin Botëror të BBC-së. Njëra ka theksuar se Zou e përdhunoi atë në qytetin e tij të lindjes në Kinë, pasi që i kishte hedhur drogë në pije, e cila e kishte lënë të vetëdijshme, por të paaftë për të folur apo lëvizur. Tjetra ka treguar se Zou e drogoi edhe atë - në Londër - dhe se ajo ishte zgjuar pikërisht në kohën kur pa se ai po e filmonte duke e sulmuar seksualisht.
BBC-ja gjithashtu ka folur me dy gra, dëshmia e të cilave ka ndihmuar që Zou të shpallet fajtor. Lartësia e dënimit ndaj tij pritet të shpallet në qershor. “Nëse do të kisha folur më herët, ndoshta nuk do të kishte kaq shumë viktima pas meje”, ka thënë njëra prej tyre.
Ajo dhe gratë e tjera kanë thënë se luftojnë me ndjenjën e fajit, tani që e dinë se Zou ka sulmuar kaq shumë gra.

Dy shishe në tavolinë
Alice (emër i ndryshuar), njëra nga gratë që ka ngritur akuza të reja, i ka thënë BBC-së se Zou e kishte sulmuar atë në Londër në vitin 2021, porse ajo ishte në gjendje të shkonte në polici vetëm pas gjyqit të tij muajin e kaluar. “Nuk e dija se ishte diçka që mund ta raportonim”, ka theksuar një shtetase kineze.
Ajo ka deklaruar se fillimisht është takuar me Zoun në një klub nate në Londër me miqtë e tjerë studentë kinezë. I gjithë grupi kishte shtuar njëri-tjetrin në WeChat, një aplikacion i njohur i mesazheve.
Jo shumë kohë më pas, një mik i përbashkët e ftoi Alicen për pije në një vend më të veçantë të Zout në Bloomsbury.
Në tavolinë kishte dy shishe me pije alkoolike, ka treguar ajo. Të dyja, sipas saj, tashmë të hapura dhe gjysmëbosh. Ajo ka treguar se ka filluar të pinte një nga shishet me shoqen e saj - por ka treguar se Zou pinte vetëm nga tjetra.
Alice ka deklaruar se shoqja e saj normalisht mund ta përballonte alkoolin, por kësaj radhe, ajo u deh shumë shpejt dhe e zuri gjumi në dysheme. Ajo ka treguar se alkooli filloi papritmas të ketë ndikim edhe tek Alice.
“Normalisht kur pi shumë ndihem mirë për njëfarë kohe. Por atë natë thjesht u ndjeva jashtëzakonisht e trullosur dhe e përgjumur menjëherë”.
Ajo ka treguar se Zou e bindi se nuk do të ishte e sigurt të merrte një taksi për në shtëpi në gjendjen në të cilën ndodhej dhe i kërkoi të bënte një sy gjumë në dhomën e tij të gjumit. Ajo ka thënë se ishte dakord, duke ditur se edhe shoqja e saj ishte ende në apartament.
Gjëja tjetër që ajo ka thënë se kujton është kur u zgjua dhe pa që Zou po ia hiqte pantallonat.
“E ndalova menjëherë”, ka deklaruar ajo - duke shpjeguar se si më pas vuri re një dritë celulari mbi kokën e saj dhe e kuptoi menjëherë tmerrin. Ai po e filmonte.
Alice ka përshkruar përpjekjen për ta lënë dhomën e tij të gjumit, duke u “larguar në mënyrë agresive nga dera”. Zou përdori një forcë kaq të fortë për t’u përpjekur ta mbante në dhomën e gjumit, ka treguar ajo, saqë “duhej të kapej me kornizën e derës me të dyja duart”.
Sipas saj, vetëm kur ajo e ka kërcënuar se do të bërtiste për ndihmë, ai e ka lejuar të largohej, duke i thënë që të mos i bënte gjërat e mëdha ose të shkonte në polici.
Sipas saj, Zou e ka kontaktuar të nesërmen në WeChat, pa e përmendur natën e mëparshme. Ai i ka kërkuar të dilnin në një takim për darkë, por ajo thotë se e ka injoruar dhe nuk kanë kontaktuar më.
Alice ua besoi rrëfimin e saj disa miqve të ngushtë, por nuk i çoi gjërat më tej.
“Mendova se së pari të duheshin prova. Dhe së dyti, diçka thelbësore duhej të kishte ndodhur përpara se të telefonoje policinë”.
Ajo ka treguar se herën tjetër që ajo pa fytyrën e Zout ishte gati katër vjet më vonë në media - pasi ai u akuzua nga policia.
Është sfiduese për shtetasit e huaj të raportojnë krimet seksuale në Britani, thotë Sarah Yeh, administruese në Shoqatën e Grave të Azisë Juglindore dhe Lindore në Londër.
“Do të ishte e frikshme për këdo nga jashtë shtetit që të traumatizohej nga përdhunimi dhe më pas të duhej të endej në sistemin ligjor britanik dhe Shërbimin Shëndetësor Kombëtar apo edhe të qasej në shërbimet e ofruara për viktimat”, ka theksuar ajo.
“Ata mund të mos i kuptojnë të drejtat e tyre ose çfarë burimesh janë në dispozicion për ta, si dhe të jenë të shqetësuar për pasojat, ndikimet negative në studimet e tyre, turpin që u sjell atyre dhe familjeve të tyre dhe sfidat e mundshme ligjore”, ka shtuar ajo.
Rreth një vit pasi Alice ishte sulmuar, ka thënë se ka zbuluar se një nga miqtë e saj meshkuj në Londër e njihte gjithashtu Zoun, porse kishte ndërprerë çdo kontakt me të sepse kishe zbuluar se Zou kishte vendosur drogë në pijet e vajzave.
Miku - të cilit BBC-ja i është referuar si Jie – ka theksuar se “nuk është befasuar aspak” kur ka dëgjuar se Zou ishte dënuar.
“Shumë miq në atë kohë ndoshta e dinin çfarë po bënte Zou. Mendoj se disa nga shoqet tona e dinin gjithashtu”.
Jie ka treguar se ka pirë aksidentalisht nga gota e dikujt tjetër në një festë në vitin 2022, dhe më pas u sëmur dhe u bë i përgjumur.
Sipas tij, Zou më pas i kishte thënë se e kishte pirë pijen që ishte përgatitur për një grua.
Jie ka thënë se Zou më vonë i ka treguar një qese të vogël me drogë dhe e ka pyetur nëse donte të bashkëpunonte me të. Ai i ka kërkuar ndihmë Jieit të gjente sa më shumë vajza të cilat do të mund t’i drogonte. Jie ka treguar se e kishte refuzuar.
BBC e ka pyetur Jien se pse ai kishte vazhduar fillimisht të shihte Zoun dhe pse nuk shkoi në polici. Jie ka theksuar se ata të dy kishin shumë miq të përbashkët, kështu që ishte e vështirë të mos shoqëroheshin së bashku. Ai ka thënë se i paralajmëroi miqtë e tij për Zou, duke u thënë atyre të mos rrinin me të, sepse po i drogonte njerëzit.
Jie ka treguar se nuk i pëlqen t’i kujtojë ato kohë. Dhe ka shtuar se kjo është arsyeja pse ai nuk ka shkuar në polici - duke shtuar se ai kishte besuar se dëshmitë e grave ishin të mjaftueshme për të dënuar Zoun.
Përfundimisht, Jie ka thënë se i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me të.
Një tjetër grua e re që ka qenë në kontakt me policinë në Londër dhe Kinë që nga gjyqi i Zout është Rachel (emër jo i vërtetë). Ajo ka theksuar se ishte droguar dhe përdhunuar nga ai në vitin 2022 në qytetin e tij të lindjes, Dongguan - në provincën Guangdong.
Rachel i ka thënë BBC-së se kishte shkuar në një takim me Zou, pasi e kishte njoftuar atë në internet. Ajo ka treguar se mendoi që do të shkonin në një bar, porse ka përfunduar në shtëpinë e tij - një vilë e madhe për të cilën Zou kishte thënë se është një nga pronat e shumta të familjes së tij.
Me shpinën e kthyer nga ajo, Rachel ka treguar se Zou kishte përzier diçka në një koktej me ngjyrë të gjelbër. Më pas ajo ka thënë se ata kanë filluan një lojë me pije dhe se ajo ka përjetuar një valë marramendjeje. Rachel i ka thënë policisë në Mbretërinë e Bashkuar se Zou e ka çuar atë në një dhomë gjumi, ku ajo nuk mund të fliste ose të lëvizte trupin e saj dhe më pas e kishte përdhunuar.
Ajo ka menduar ta thërriste policinë të nesërmen, por ka vendosur të kundërtën. Rachel ka theksuar se kishte frikë se do të ishte shumë e vështirë të përballej me situatën. “Është e vështirë për mua të pajtohem me faktin që isha e gatshme të shkoja në shtëpinë e tij për të pirë dhe kjo nuk ishte një sinjal se isha dakord për seks”, ka theksuar ajo.
Rachel ka shtuar se Dongguan ishte një vend i vogël dhe gjithmonë ekzistonte rreziku që njerëzit që ajo njihte - prindërit, të afërmit dhe kolegët e saj - ta zbulonin dhe të mendonin se ajo ishte diçka “e padiskutueshme”.
BBC-ja ka parë deklaratën e Rachelit në Policinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo ka thënë se dëshiron që historia e saj të dëgjohet tani, për të inkurajuar më shumë viktima të dalin përpara - dhe sepse do të donte ta shihte Zoun të ndiqej penalisht në Kinë, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Kevin Southworth - i cili drejton mbrojtjen publike në Policinë Metropolitane - u tha zyrtarëve të BBC-së se ende po punonin në rrugën e tyre përmes 23 rasteve të reja të mundshme dhe se disa nga njerëzit ishin “definitivisht joidentikë” me ato të paraqitura në pamjet sekrete të sekuestruara të Zou ose nga rastet e akuzave deri më tani.
“Kjo flet për faktin se grupi i tij është në fakt shumë më i madh nga sa e kishim kuptuar ne”, ka theksuar ai.
“Një gjyq i dytë për përdhunuesin e dënuar nuk është përjashtuar dhe ka ‘sigurisht një rast’ për t’u diskutuar me Shërbimin e Prokurorisë, duke pasur parasysh numrin e grave që vijnë”, ka shtuar ai.

“Ai mban orë Rolex”
BBC ka folur gjithashtu me dy viktimat e vetme që policia ishte në gjendje t’i identifikonte përpara fillimit të gjyqit ndaj Zout - të dyja janë shtetase kineze që kishin studiuar në Londër. Gratë u njohën me njëra-tjetrën në rrjetet sociale pasi njëra prej tyre, Beth (emër jo i vërtetë), shkroi për përvojën e saj.
Beth u përdhunua nga Zou në vitin 2023 dhe ishte përpjekur ta raportonte krimin në Policinë Metropolitane menjëherë më pas. Por më pas ajo vendosi të mos vazhdonte sepse ndihej e pasigurt për ligjin e Mbretërisë së Bashkuar dhe kishte mbetur e dekurajuar pas ndërveprimit të saj fillestar me policinë, i cili përfshinte një përkthim të dobët të telefonatës së saj.
“Atëherë nuk e dija emrin e Zout. Nuk e dija adresën e tij, mund të jepja vetëm informacione të përgjithshme”, ka treguar ajo.
E zhgënjyer, Beth postoi një paralajmërim në rrjetet sociale për atë që i kishte ndodhur. Një tjetër studente kineze, “Clara”, thotë se ajo menjëherë e dinte se ky ishte i njëjti burrë që e kishte droguar dhe përdhunuar pas një nate në lagjen kineze të Londrës, dy vjet më parë.
“Çdo detaj në postimin e Bethit tregonte për të njëjtin njeri”, ka theksuar Clara: “Ai ka një theks Guangdong, duket i sinqertë dhe mban një orë Rolex”.
Gratë filluan të flasin në internet dhe Beth e inkurajoi Clarën të raportonte atë që i kishte ndodhur asaj në polici.
Muaj më vonë policia kontaktoi Bethin për të thënë se po e rihetonin rastin. Clara kishte dalë përpara.
Në pajisjet e sekuestruara të Zout policia kishte gjetur gjithashtu një video ku shfaqej Beth.
Policia që atëherë ka shprehur keqardhje për mënyrën se si i trajtoi fillimisht akuzat e saj.
Clara përshkruan një përvojë pozitive me policinë britanike. Ajo thotë se nuk donte të fluturonte për në Londër për gjyq, në rast se prindërit e saj e merrnin vesh, kështu që Policia dërgoi dy oficerë në Kinë për ta mbështetur, ndërsa ajo dha dëshmi me video në vend të kësaj.
Beth - e cila dha dëshminë e saj në gjykatë në Londër - thotë se vetëm më pas kuptoi se ajo dhe Clara ishin dy gra të vetme që ndihmuan për ta dënuar Zoun.
“Mendova për një kohë të gjatë se nuk isha një pjesë e rëndësishme e çështjes kundër Zou”, thotë ajo.
Tani ajo është e lumtur që dëshmoi dhe po inkurajon gratë e tjera të dalin përpara.