Botë

Norvegjia do ta ndalojë hyrjen e turistëve rusë nga 29 maji

Kufiri Norvegji-Rusi

Kufiri Norvegji-Rusi

Foto: Associated Press

Norvegjia do ta frenojë më tej qasjen për turistët rusë, për shkak të luftës në Ukrainë, duke e bllokuar pothuajse në total hyrjen e tyre nga 29 maji, ka bërë të ditur të enjten, ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Emilie Enger Mehl.

Rusia e ka quajtur vendimin “diskriminim puro” teksa ka shtuar se do të përgjigjet për këtë, raporton Retuers.

Norvegjia, një anëtare e NATO-s e cila ndan kufirin rreth 200 km me Rusinë në Arktik, vendosi për herë të parë kufizime për vizat turistike ruse në vitin 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

“Vendimi për të shtrënguar rregullat e hyrjes është në linjë me qëllimin e Norvegjisë për të qëndruar krah aleatëve dhe partnerëve, si reagim për luftën ilegale ruse kundër Ukrainës”, ka deklaruar Enger Mehl.

Qytetarët rusë që kanë për qëllim turizmin dhe udhëtime të tjera jothelbësore, do të kthehen mbrapsht në kufi. 

Përjashtime sipas autoriteteve, mund të ketë për vizitat e familjarëve të ngushtë që jetojnë në Norvegji, ka shtuar ministrja në deklaratën e saj.